Komisioni Evropian ka kërkuar informacion në lidhje me detajet e marrëveshjes që Roma dhe Tirana kanë nënshkruar që Italia të krijojë qendra emigrantësh në Shqipëri, tha të martën një zëdhënës i ekzekutivit të BE-së, raporton ANSA.
“Ne jemi në kontakt me autoritetet italiane. Kemi kërkuar të marrim detaje të marrëveshjes së migracionit me Shqipërinë,” tha zëdhënësja Anitta Hipper.
“Para se të komentojmë më tej, duhet të kuptojmë se cili është saktësisht qëllimi”.
Zëdhënësja theksoi se Komisioni ishte informuar për marrëveshjen para nënshkrimit të saj të hënën. Ajo shtoi se “duket ndryshe” me marrëveshjen që Britania ka me Ruandën për të dërguar emigrantë në vendin afrikan.
Sipas marrëveshjes, Italisë i jepet e drejta e përdorimit të zonave të përcaktuara pa kundër-shpërblim.
Zonat që do të jepen në përdorim do të menaxhohen tërësisht nga pala italiane, sipas juridiksionit të shtetit italian. Është dakordësuar që numri i migrantëve prezent në zonat e caktuara nuk do të kalojë shifrën 3.000.