Bashkimi Evropian u ka kërkuar autoriteteve në Kosovë që të zbatojnë me urgjencë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Këtë e ka përsëritur sërish në konferencë për media zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

“Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbë është detyrim shumëvjeçar për Kosovën. Është e nevojshme të veprojë urgjentisht. Kjo është përsëritur disa herë nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë, atë të liderëve evropianë”, tha ai.

Ka paralajmëruar Kosovën se zbatimi i marrëveshjes ndërlidhet direkt me rrugën e saj europiane.

“Nëse Kosova nuk është në gjendje të japë rezultate në këtë drejtim, atëherë nuk do të shihet si sinjal pozitiv se ajo dëshiron të lëvizë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve [me Serbinë], që tash është i lidhur me përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, u shpreh ai.

Tha se në takimin e së enjtes në nivel kryenegociatorësh do të preket edhe kjo çështje sikurse në çdo takim tjetër, por tema kryesore do të jetë rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e ASK-së, në këtë të fundit Gjykata Kushtetuese kishte gjetur disa nene në kundërshtim me Kushtetutën e për çka institucionet e Kosovës kanë hezituar ta zbatojnë si të tillë”, njoftoi Stano.

Edhe në marrëveshjen e 27 Shkurtit dhe aneksit të Ohrit Kosova është pajtuar se do të themelojë Asociacionin, por në harmoni me Kushtetutën e vendit.