Durrës, 25 shkurt 2014- Projekti DELMVET i mbështetur nga programi i Bashkimit Evropian IPA për një model eficent të arsimit dhe formimit profesional ka hyrë në fazën e zbatimit konkret të tij.
Gjatë një takimi që u zhvillua sot paradite në Durrës, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, vlerësoi se formimi profesional është një nga fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit për integrimin e vendit tonë në familjen evropiane. Ajo tha se zbatimi konkret i këtij projekti në qarkun e Durrësit është një shembull shumë i mirë edhe për arsimimin profesional në qarqe të tjera të vendit tonë.
Edhe Zëvëndësministrja e Arsimit Nora Malaj “vlerësoi me nota pozitive punën e bashkëpuntorëve në projektin DELMVET, i cili drejtohet prej dy vjetësh nga Këshilli i qarkut të Durrësit. Sipas saj projekti do të shënojë hapa të rëndësishëm në të ardhmen në drejtim të zbatimit dhe implementimit të objektivave dhe aktiviteteve të planifikauar në kuadër të projektit”.
Këto ditë në kuadër të këtij projekti në shkollën “Beqir Cela” të Durrësit do të fillojnë funksionimin dy kurse, që do të përgatisin për një vit radhazi kameramanë televizivë dhe automekanikë të kualifikuar.
Projekti DELMVET “Zhvillimi i modelit efikas të menaxhimit në nivel lokal të edukimit dhe trajnimit profesional” synon të forcojë aftësitë e zhvillimit ekonomik dhe lokal të qëndrueshëm të rajonit të Durrësit nëpërmjet një strategjie të përbashkët veprimi mes partnerëve të projektit nga Italia dhe Serbia.
Përgatitja profesionale e nxënësve të arsimit të mesëm, maturantëve, por edhe studentëve, do të arrihet përmes krijimit të një rrjeti të trajnimit dhe edukimit profesional, duke harmonizuar një sistem të qëndrueshëm dhe aktiv me nevojat e punës.
Projekti ka një buxhet total prej 1 milion e 363 mijë euro dhe shtrihet në një periudhë kohore prej 30 muajsh.
Në zbatimin e projektit janë përfshirë organizma të rajonit Marche (Itali) dhe Dhoma e Tregtisë së Beogradit. Agjencia kombëtare e arsimit profesional, Drejtoria rajonale e punësimit, shkolla e arsimit profesional “Beqir Çela” në Shkozet dhe Dhoma e tregtisë dhe industrisë së Durrësit janë bashkëpunëtorët lokalë në implementimin e këtij projekti

/ATSH-Gëzim Kabashi/