Bashkimi Evropian ka njoftuar një paketë të re mbështetjeje ushtarake për Ukrainën, me vlerë deri në 10 miliardë euro, e cila synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit përmes financimit të prodhimit dhe furnizimit me dronë, raketa dhe avionë luftarakë. Njoftimi u bë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kiev, ku ajo vlerësoi përparimin e Ukrainës dhe theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë vendin në përballjen me agresionin rus.
Von der Leyen deklaroi se Bashkimi Evropian dhe Ukraina do të nisin një partneritet të ri industrial në sektorin e mbrojtjes, i cili do të fokusohet në prodhimin e përbashkët të dronëve dhe sistemeve kundër dronëve. Marrëveshja, e njohur si “Drone Deal”, do të mbështetet në krijimin e sipërmarrjeve të përbashkëta mes kompanive evropiane dhe industrisë ukrainase të mbrojtjes. Qëllimi është të kombinohen përvoja e Ukrainës, e fituar në fushën e betejës, me kapacitetet industriale të vendeve të Bashkimit Evropian për të rritur prodhimin dhe zhvillimin e teknologjive moderne ushtarake.
Sipas planit të paraqitur nga Komisioni Evropian, deri në vitin 2028 bashkëpunimi do të zgjerohet edhe në prodhimin e përbashkët të raketave antibalistike, duke krijuar një bazë të re industriale për mbrojtjen evropiane dhe atë ukrainase. Në mesin e 18 anëtarëve themelues të kësaj nisme është edhe kompania italiane Fincantieri, e vetmja kompani italiane që merr pjesë në projekt.
Komisioni Evropian njoftoi gjithashtu se ka disbursuar një miliard euro për blerjen e dronëve për Ukrainën dhe ka miratuar një plan pagesash prej 10 miliardë eurosh, i cili do të përdoret për financimin e dronëve, raketave dhe avionëve luftarakë. Këto fonde janë pjesë e një programi më të gjerë kredie prej 90 miliardë eurosh, të destinuar për mbështetjen afatgjatë të Ukrainës në fushën e mbrojtjes.
Megjithatë, në të njëjtën ditë kur u nënshkrua marrëveshja e re me Bashkimin Evropian, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori një vendim që ka shkaktuar debat të madh brenda dhe jashtë vendit. Ai shkarkoi ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, një nga figurat më të njohura të modernizimit të ushtrisë ukrainase dhe një nga arkitektët kryesorë të zhvillimit të programeve të dronëve që kanë luajtur rol vendimtar në luftën kundër Rusisë.
Sipas raportimeve, Fedorov kishte pasur mosmarrëveshje me komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura ukrainase, Oleksandr Syrskyi, lidhur me drejtimin e strategjisë ushtarake dhe organizimin e forcave në terren. Vendimi i Zelenskyt është pritur me kritika nga një pjesë e opinionit publik në Ukrainë dhe ka shkaktuar shqetësim edhe te partnerët evropianë, të cilët e konsideronin Fedorovinin një nga drejtuesit më efektivë në zhvillimin e teknologjive ushtarake.
Media dhe ekspertë të sigurisë kanë vlerësuar se largimi i tij mund të ndikojë në vazhdimësinë e strategjisë së luftës teknologjike të Ukrainës. Revista franceze “Défense et Sécurité Internationale” e cilësoi shkarkimin si një goditje të rëndë për strategjinë ushtarake ukrainase në një moment vendimtar të konfliktit, duke theksuar se një zhvillim i tillë është në favor të interesave ruse.
Në mesazhin e tij të lamtumirës të publikuar në rrjetin social X, Fedorov renditi arritjet kryesore gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ai theksoi se kishte marrë drejtimin e institucionit në një moment me burime shumë të kufizuara financiare, por kishte arritur të ridrejtonte fondet drejt zhvillimit të kapaciteteve moderne ushtarake. Ai përmendi investimet në dronë FPV me fibra optike, sisteme të lira zbulimi, platforma robotike tokësore, dronë interceptues dhe dronë me rreze të gjatë veprimi për goditje në thellësi të territorit armik.
Fedorov nënvizoi gjithashtu nisjen e operacionit “Logistical Lockdoën”, një strategji që synonte ndërprerjen e linjave logjistike ruse dhe izolimin gradual të Krimesë, si edhe krijimin e një programi mbështetës për njësitë sulmuese të pajisura me teknologji moderne të dronëve. Ai falënderoi ekipin e tij për punën e bërë dhe shprehu besimin se modernizimi i forcave të armatosura ukrainase do të vazhdojë edhe në të ardhmen.





