BRUKSEL- Ministrat e financave të eurozonës kanë rënë dakord për krijimin e një unioni bankar në samitin e djeshëm në Bruksel. Marrëveshja vjen pas disa muajsh negociatash mes vendeve anëtarë e do të jetë në tryezën e liderëve europianë ditën e sotme. Rregullat e reja për mbikëqyrjen bankare shihen si jetike për t'i ardhur në ndihmë euros, pasi dështimet e bankave ishin ato që shkaktuan fillimisht krizën financiare. BE ka rënë dakord më herët që kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi do të jetë drejtues i unionit mbikëqyrës. 

"Ne kemi rënë dakord që ky union të nisë punën në vitin 2014",-tha shkurtimisht ministri gjerman i financave, Wolfgang Schaeuble, pas 14 orë negociatash. Marrëveshja parashikon që ato banka që kanë 30 miliardë euro asete do të jenë nën mbikëqyrjen e BQE-së. 

Kjo po ashtu i jep të drejtë Draghit që të mbyllë ato banka të cilat nuk ndjekin rregullat, e në të njëjtën kohë hap rrugën që fondet e shpëtimit të eurozonës, të shkojnë për institucionet në nevojë. Liderët e BE-së shpresojnë se Mekanizmi Mbikëqyrës mund të krijohet pa u dashur të ndryshohen traktatet e BE-së.