Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, paralajmëroi qeverinë shqiptare se projekti i saj për ngritjen e një skeme të shtetësisë për investitorë të huaj dhe të pasur përbën rrezik për vendin si dhe mund të ndikojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen.
Në përgjigje të pyetjeve të BIRN, delegacioni i BE-së theksoi gjithashtu se ky qëndrim u ishte bërë i qartë autoriteteve shqiptare përmes disa raporteve të Komisionit Europian, raportit të tretë dhe të katërt për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave si dhe në disa takime të zhvilluara me zyrtarë të BE-së gjatë viteve të fundit.
“Komisioni ka ndërmarrë masa të forta kundër skemave të shtetësisë për investitorët brenda dhe jashtë BE-së. Komisioni i konsideron këto skema në kundërshtim me ligjet e BE-së, pasi ato shkelin parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe konceptin e shtetësisë së BE-së”-tha delegacioni për BIRN.
Delegacioni i BE-së theksoi edhe njëherë rreziqet që skema të tilla mund t’i sjellin Shqipërisë, sa i përket infiltrimit të krimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet “aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta në një skemë të ardhshme shqiptare”.
Delegacioni theksoi gjithashtu aplikimi i këtyre skemave nga vendet e treta me qasje pa viza në Bashkimin Evropian e shqetësojnë Unionin, pasi “mund të përdoren për të anashkaluar procedurën e rregullt të vizave për qëndrim të shkurtër të BE-së dhe vlerësimin e thelluar të rreziqeve individuale migratore dhe të sigurisë që kjo sjell”. Në kontekstin “e agresionit rus kundër Ukrainës”, Delegacioni i BE-së kujton gjithashtu se Komisioni u ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së që të ndërpresin menjëherë skemat e shtetësisë për investitorët.
Ngritja e një skeme për shitjen e pasaportës shqiptare është një ide e vjetër e kryeministrit Edi Rama, e cila u rikthye në qendër të vëmendjes pas miratimit të një vendimi më 29 korrik, përmes së cilës i hapet rrugë kontraktimit përmes koncesionit të një kompanie ndërkombëtare për promovimin e e pasaportës shqiptare në botë.
Por delegacioni i Bashkimit Evropian e konsideron këtë “një devijim” nga angazhimi i Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e saj me BE.
“Me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë më 19 korrik, Komisioni Evropian pret që autoritetet shqiptare të përafrohen gradualisht me acquis dhe t’i shmangen devijimit prej saj,” -tha Delegacioni.
“Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndjekë çdo zhvillim që lidhet me futjen e mundshme të një skeme të shtetësisë për investitorët në Shqipëri,” përfundoi Delegacioni./reporter.al/





