PRISHTINE, 12 shkurt 2013 –  Kosova dhe BE-ja janë takuar për herë të dytë në kuadër të Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit. Ky takim i dytë i mbajtur në Prishtinë është përqendruar fillimisht në prioritetet e sundimit të ligjit të përcaktuara nga Studimi i Fizibilitetit për një Marrëveshje të Stabilizim Asocimit në mes të BE-së dhe Kosovës.

“Forcimi i sundimit të ligjit është në qendër të procesit të zgjerimit të BE-së, prandaj edhe është qenësor për progresin e Kosovës drejt Evropës. Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit është një instrument i rëndësishëm që na mundëson t’i ndihmojmë Kosovës në fuqizimin e gjyqësorit dhe ta mbështesim atë në përpjekjet për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sot, unë e kam mirëpritur zotimin e qeverisë për të siguruar se prioritetet afatshkurta për sundimin e ligjit të Studimit të Fizibilitetit do të plotësohen së shpejti”,- citon “Zëri” të ketë thënë Joost Korte, zëvendës drejtor i përgjithshëm në Drejtoratin për Zgjerim në Komisionin Evropian.

Ai ka shtuar se në mënyrë që Kosova të ecë para drejt integrimit evropian, institucionet e saj duhet të tregojnë nivel të lartë e të vazhdueshëm të angazhimit politik për të bërë reforma të nevojshme, dhe për të arritur rezultate sa i përket legjislacionit, implementimit dhe fuqizimit.

Ndërkaq, Komisioni për progresin e Kosovës, po sot ka prezantuar raportin e parë për progresin të cilin e ka arritur Kosova në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Komisioni e ka vlerësuar progresin e Kosovës në secilën pjesë të udhërrëfyesit për viza dhe ka dhënë disa rekomandime për autoritetet kosovare në fushat ku kërkohet veprim vendimtar për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj. Raporti po ashtu vlerëson sigurinë potenciale dhe ndikimin në migrim nga liberalizimi i vizave me Kosovën.

“Ky raport vlerëson të dhënat e Kosovës për miratimin dhe implementimin e legjislacionit dhe reformave, ashtu siç janë paraqitur në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, me fokus në legjislacionin e Kosovës”,- thuhet në një njoftim të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Raporti identifikon dy pjesët e reja të legjislacionit që Kosova duhet t’i miratojë: një ligj për bashkëpunim ndëragjencor në menaxhimin e integruar të kufirit dhe një ligj për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Kapaciteti aktual i Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, sipas raportit në fjalë, “mbetet i kufizuar”, me një ndikim potencialisht të madh në sigurinë e brendshme të BE-së.