Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka reaguar pas sulmit të SHBA në Venezuelë dhe arrestimit të presidentit Maduro, ku deklaroi se ka zhvilluar biseda me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si dhe me ambasadorin e BE-së në Karakas.

Ajo theksoi se Bashkimi Evropian po e monitoron nga afër situatën dhe rikujtoi se BE-ja ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Nicolás Maduro nuk gëzon legjitimitet.

“Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e Kombeve të Bashkuara duhet të respektohen”, shkroi Kallas në rrjetet sociale. “Bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje. Siguria e qytetarëve të BE-së në vend është prioriteti ynë kryesor.”

Edhe  Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka shprehur shqetësim për situatën në Venezuelë, duke bërë thirrje për frenim të situatës dhe respekt të së drejtës ndërkombëtare.

Në një postim në rrjetin social X, Costa deklaroi se Bashkimi Evropian kërkon një zgjidhje të situatës në Venezuelë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Venezuelë.

Costa shtoi se BE mbështet përpjekjet e Përfaqësueses së Lartë, Kaja Kallas, në koordinim me shtetet anëtare, për të garantuar sigurinë e qytetarëve evropianë që ndodhen në vend.