Sipas të dhënave të publikuara nga autoriteti statistikor i bllokut 27-anëtarësh (Eurostat), vitin e kaluar rreth 33% e qytetarëve të BE-së të moshës 16 deri në 74 vjeç kanë pasur probleme me incidente të lidhura me sigurinë.

Thyerja e fjalëkalimeve përmes mesazheve mashtruese të njohura si “phishing” dhe “pharming” si dhe përdorimi i uebsajteve të rreme për të vjedhur informacione personale kanë qenë incidentet më të shpeshta të sigurisë në BE.

Në vitin 2019, 25% e të gjitha sulmeve në bllok ishin incidente “phishing” ndërsa 12% u renditën si “pharming”. Pjesa më e madhe e njerëzve që përjetuan probleme të lidhura me sigurinë në bllok ishte në Danimarkë, me 50%.

Ata pasohen nga Franca me 46%, Suedia me 45%, Malta dhe Holanda me 42% secila, Bullgaria me 13% dhe Greqia me 13%.

Ndërkohë, më 11 shkurt të Ditës së Internetit më të Sigurt 2020, Komisioni Evropian lëshoi një deklaratë ku thuhej: “Forcimi i sigurisë në internet dhe luftimi i përmbajtjes së dëmshme, siç është fjala e urrejtjes së paligjshme, propaganda terroriste, përmbajtja e abuzimit të fëmijëve në internet dhe dezinformimi janë prioritetet kryesore për Bashkimin Evropian”.

Më tej u theksua se BE-ja do të vazhdojë të fokusohet në bërjen e internetit më të sigurt dhe më të mirë.

Disa studime kanë treguar se sulmet kibernetike kanë shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë botërore, e cila humbi 3 trilionë dollarë në vitin 2015 për shkak të sulmeve kibernetike që pritet të rriten në 6 trilionë dollarë humbje këtë vit.//AA