11 OJQ në Durrës, Krujë, Kavajë dhe Rrogozhinë janë përzgjedhur nga Bashkimi Evropian për të përfituar grante në kuadër të programit të financuar nga Bashkimi Evropian “Rigjallërimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në përgjigje të tërmetit të Shqipërisë 2019, 2020-2024” (EU4Culture).
Në Muzeun Arkeologjik të Durrësit u prezantuan sot 11 projektet fituese, të cilat në total kapin vlerën 590 mijë dollarë.
Projektet e financuara nga BE do të përqendrohen në zbutjen e efekteve negative që solli tërmeti i 26 nëntorit në trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Ato janë të fokusuar kryesisht në rigjallërimin e objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga lëkundja sizmike, duke ndihmuar për rrjedhojë në stimulimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Shqipërisë permes rritjes se potencialit turistik të vendit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e prezantimit të projekteve deklaroi se përgjatë këtyre viteve të vështira të rimëkëmbjes pas tërmetit, BE me programet e saj ka qenë një ndihmë e madhe për Shqipërinë dhe për trashëgiminë e pasur kulturore të saj.
Ndërsa shefi i Bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, u ndal në fjalën e tij në rëndësinë që merr programi EU4Culture, jo vetëm për rehabilitimin e siteve arkeologjike të Shqipërisë, por edhe për t‘ kthyer ato në asete të rëndësishme të turizmit kulturor.
“Ky program na çon pas në kohë, në një ngjarje tragjike të 2 viteve e gjysëm më parë, tek tërmeti.
Ne mblodhëm 40 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian jo vetëm për të rindërtuar dhe rijetësuar disa prej këtyre siteve arkeologjike të mrekullueshme, por për të shkuar përtej.
Duhet ta përdorim këtë investim si një mundësi për të shkuar më tej, për t’i bërë këto site tërheqëse për vizitorët, por eedhe komunitetet lokale”,- tha Perr.
Kjo ishte thirrja e parë për grante dhe pritet të pasohet në të ardhmen nga të tjera projekte që do të financohen nga BE.