Për shkak të informalitetit të lartë në tregun e punës dhe nivelit të lartë të emigracionit, popullsia në moshë pune e Shqipërisë zotëron njohuri për zanate dhe profesione, të cilat nuk janë të certifikuara. Profesionet e palegalizuara ulin përfitimet për punonjësit dhe bëhen pengesë për ndërmjetësimin në tregun e punës. Fondacioni Europian për Trajnimet, që operon nën ombrellën e Komisionit Europian, në një studim të fundit evidentoi se Shqipëria duhet të rrisë kurset profesionale me qëllim që të certifikojë njohuritë që shumë persona kanë tashmë për zanatet.
Prej emigracionit të lartë, shumë shqiptarë kanë fituar zanate dhe profesione nga përvoja e punës. Ata janë njësoj të aftë ose edhe më shumë se ata që mbarojnë një shkollë profesionale, por nuk e kanë një certifikatë, e cila të njihet dhe të shërbejë për integrimin tyre në tregun e punës. Siç tregon studimi, në Shqipëri ka shumë ofrues të kurseve profesionale sidomos nga sektori privat, por ato nuk janë të akredituar. Oferta në rritje e kurseve është e lartë (nga të cilët 12 janë publikë dhe 833 privatë) që mund të kontribuojnë në vlefshmërinë e njohurive.
Përveç kësaj, ekzistojnë mundësi të mëdha të të mësuarit informal nga ndërmarrjet, partnerët socialë, organizatat rinore dhe organizatat e të rriturve përmes aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Në vitin 2017, nisi të funksionojë një model i mirë për certifikimin e njohurive nga puna, por u kufizua nga një vendim i qeverisë në vitin 2021
‘Nisma për certifikimin e njohurive të mëparshme për profesionistët e furrave të bukës dhe pastiçerive u zbatua me sukses nga 2017 në vitin 2021 nga AlbContact Center, një ofrues privat i Arsimit Profesional i licencuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ajo erdhi si një nevojë e vazhdueshme nga personat që kërkojnë njohjen e aftësive të fituara në punë, gjatë emigrimit, në komunitetin e tyre. Emigrantë shqiptarë që kishin punuar jashtë vendit në prodhimin e bukës dhe pastave ën vendet e BE-së donin të hapnin biznes në vendin e tyre.
Gjithashtu shumë të rinj me zanate kanë nevojë për certifikatë për të mundësuar kontratën e rregullt pas praktikave. Rreth 70 persona certifikuan rezultatet e tyre të mëparshme të të nxënit, duke marrë titullin “Master” ose “Assistant Master”. Procedura përfshinte tre hapa: vlerësimin (vlerësimin), dokumentimin dhe certifikimin e njohurive.
Vlerësimi u krye në një mjedis real pune (furra buke). Për më tepër, kandidatët u vlerësuan nga një komisioni vlerësues i përbërë nga ekspertë të specialitetit (p.sh. Master në Furra buke), përfaqësues nga biznesi, akademikët dhe ekspertë gjermanë. Mirëpo projekti ndaloi për shkak të hyrjes në fuqi të VKM nr. 756 datë 9.12.2021 ‘Për sistemin e njohjes e mësimit të mëparshëm të njohurive”, i cili përcakton kriteret dhe kushte të vështira për të plotësuar. ETF vë në dukje se nevojat e Shqipërisë për certifikimin e njohurive që disponohen tashmë janë shumë të larta./ Monitor