Bashkimi Evropian tha se situata në Bosnje dhe Hercegovinë paraqet “burim të madh shqetësimi”.

Duke folur të mërkurën para gazetarëve në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se udhëheqësit politikë të këtij vendi duhet të gjejnë zgjidhje.

Duhet të angazhohemi në dialog politik, sepse kjo është e vetmja mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje të krizës midis liderëve politikë.

Veprimet e njëanshme dhe retorika e përçarjeve duhet të ndërpriten për të mirën e qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Bosnjës”, tha Stano.

Deklarata e tij vjen në kohën kur udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës. Ai po ashtu ka thënë se serbët e Bosnjës mund të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe të rikrijojnë një forcë serbe.

Të martën, gazeta britanike Guardian ka cituar përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, të ketë thënë se ky vend “është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë” dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit. Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën. Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990./ REL