BRUKSEL– Kriza ekonomike dhe financiare do të vazhdojnë të jenë shqetësimi kryesor i Bashkimit Evropian. Këtë thanë Presidenti i Irlandës, Tanaiste Eamon Gilmore dhe Ministrja e Çështjeve Evropiane, Lucinda Creighton, në paraqitjen e prioriteteve të programit të Presidencës irlandeze në BE. Në prani të 150 gazetarëve, ata thanë se marrëveshja për borxhin do të jetë prioriteti kryesor, ndërsa motoja është: stabiliteti, punësim dhe rritje ekonomike. Gilmore bëri të ditur se në fokus do të jetë punësimi, pasi 26 milionë evropianë janë të papunë.

“Më duhet ta nis duke thënë se Presidenca irlandeze do të jetë realiste por gjithashtu edhe optimiste. Për ne gota është gjysmë-plot, jo gjysmë bosh”, tha Gilmore.

Ai as nuk e përmendi asnjëherë fjalën “zgjerim”. Ndërsa Creighton tha se mbështet bllokimin e zgjerimit të zonës Shengen, pjesë ku pretendojnë të hyjnë Bullgaria dhe Rumania.

Sa i takon anëtarësimeve të reja në BE, Ministrja për Çështjet Evropiane u shpreh se Presidenca do të punojë për avancimin e zgjerimin dhe të mbështesë përgatitjen e vendeve për anëtarësim. 

Irlanda do të marrë Presidencën nga Qipro në janar dhe do ta mbajë atë për gjashtë muaj. Në këtë vend do të mbahen 11 takime të ministrave të BE-së. Presidenca prite të kushtojë 60 milionë euro, më pak se presidenca e këtij vendin në vitin 2004 që kushtoi 110 milionë euro. Për uljen e kostove, takimet do të mbahen në ndërtesat publike.