26 korrik 2015 – Bashkimi Evropian pritet që të vendosë gjatë ditës së nesërme nëse azilantët shqiptarë dhe të tjerët nga Ballkani Perëndimor do të kthehen me procedurë të përshpejtuar në vendet e origjinës.

Gjatë mbledhjes së para një jave të ministrave të Brendshëm të shteteve të unionit u diskutua edhe për një listë të vendeve të sigurta të origjinës, ku me shumë gjasë janë futur edhe Shqipëria dhe Kosova. Disa prej shteteve më të fuqishme në BE, si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, i kanë përpiluar këto lista, por ka dallime mes tyre se cilat shtete janë futur në to.

Çështja e azilantëve nga Shqipëria e Kosova është një problem shtesë për Bashkimin Evropian, në një kohë kur mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika i drejtohen kontinentit t ë vjetër për t’i shpëtuar luftërave dhe varfërisë, ndërsa shtetet nuk janë të gatshme të ndajnë barrën e azilkërkuesve, pavarësisht se liderët evropianë ranë dakord për një gjë të tillë në Samitin e qershorit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/