Bashkimi Europian do të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Objektivi kryesor i paketës së fundit është goditja e anashkalimit të dënimeve të shumta që janë vendosur që nga shkurti 2022.

Brukseli është bërë gjithnjë e më i shqetësuar për një rritje të madhe të eksporteve të BE-së në vendet periferike të Rusisë, si Armenia, Uzbekistani dhe Kazakistani, një alarm i mundshëm ky që artikujt të “ndaluar” po shkojnë në duart e Kremlinit.

Sanksionet e reja përforcojnë kontrollet e eksporteve dhe prezantojnë një mekanizëm të ri që shënjestron kompanitë jo-ruse që dyshohet se po marrin pjesë në anashkalim e kufizimimeve.

“Unë e mirëpres marrëveshjen politike për paketën tonë të 11-të të sanksioneve,” tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian në një reagim.

Lajmi vjen vetëm disa orë pasi autoritetet ukrainase vendosën të pezullojnë përkohësisht listimin e pesë kompanive greke të anijeve të përfshira në listën e “sponsorizuesve ndërkombëtarë të luftës”.

Greqia dhe Hungaria kishin bllokuar prej javësh marrëveshjen për sanksionet e reja, të cilat u propozuan më shumë se një muaj më parë, në shenjë proteste ndaj përcaktimit të kompanive të tyre vendase.