Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është shprehur se gratë në kulturën shqiptare trajtohen si qytetare të dorës së dytë.

Në intervistën e saj të fundit me ‘Rolling Stone’, Bebe Rexha tha se në Shqipëri burrat hanë të parët, burrat flasin dhe më pas vijnë gratë.

Këngëtarja ka folur mbi albumin e ri, karrierën, jetën e saj, si edhe prejardhjen, duke treguar historinë e zhvendosjes së familjes nga Maqedonia e Veriut në SHBA.

Kujtojmë se Bebe është treguar gjithnjë krenare për prejardhjen e saj, duke promovuar vlerat dhe traditat e shqiptarëve në botë.

“Ajo thotë se mentaliteti i saj “gjithmonë nxitues” vjen nga rritja në një familje emigrantësh. Të dy prindërit e saj janë shqiptarë, me babanë e saj që emigroi në SHBA nga Maqedonia e Veriut në moshën 21-vjeçare në fund të viteve 80-të, para Luftërave Jugosllave. Nëna e saj ka lindur në SHBA, por edhe gjyshërit e Rexha-s nga nëna kanë emigruar nga Evropa në kërkim të një jete më të mirë”, thotë revista në një shkrim të saj.

E pyetur për familjen e saj, Bebe ka rrëfyer:

“Ata janë paranojakë, shumë të stresuar. Ndjehem sikur i kam marrë disa nga ato cilësi nga familja ime, por duhet të mësosh se si të mos ndikohesh nga kjo. Askush nuk flet kurrë për traumën ndër breza”.

Rexha e portretizoi kulturën e saj në një mënyrë tjetër në një nga këngët e albumit “Bebe”, e cila titullohet “I Am”, të cilën e kompozoi pasi Gjykata e Lartë mori vendim për ndalimin e abortit në Amerikë.

Ky vendim sipas saj, e bëri atë të mendojë për rrënjët e saj dhe mizogjeninë e rrënjosur që ajo sheh në kulturën shqiptare.

“Mos më keqkuptoni, unë e dua kulturën dhe prejardhjen time dhe e urrej ta them këtë, por ndonjëherë më duket sikur gratë trajtohen si qytetare të dorës së dytë në vendin tim. Burrat hanë të parët. Burrat flasin. Gjithçka ka të bëjë me burrat dhe më pas vijnë gratë.”