Këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha është shfaqur duke qarë në disa video të publikuara në Instagram.
Me anë të një postimi në Insta Story Bebe thotë se i ka folur shqip një punonjësi të sigurimit në një aeroport, duke menduar se edhe ai është shqiptar. Punonjësi në fjalë i është kthyer me zemërim artistes, e cila thotë se tani po e kërcenojnë se nuk do e lejojnë të fluturojë.
Një gjë e tillë e ka frikësuar dhe mërzitur Beben.
“Lufthansa jam kërcënuar sepse mendoja se agjenti i sigurimit ishte shqiptar. Unë fola me të në shqip duke e pyetur se ku ta marr biletën time dhe tani ai më ndalon fluturimin”, ka shkruar Bebe Rexha në video.
Artistja ka qenë në Riad të Arabisë Saudite, pasi ka qenë e ftuar për të performuar në festivalin ‘MDL Beast’, dhe ishte në rrugën e saj duke u kthyer për në shtëpi, në Los Angeles.
Ajo bëri edhe një reagim tjetër me shkrim duke shprehur indinjatën e saj ndaj kompanisë së fluturimit.
“Unë besoj se ky është një akt urrejtjeje ndaj meje sepse jam shqiptare. Ai nuk më lejoi të marr emrin e tij. Vazhdonte të më abuzonte mendërisht për të më bërë të ndihem se ishte më i fuqishëm se sa ishte në të vërtetë. Asnjë nga gratë në @Lufthansa nuk ndërhyri apo nuk tha diçka. Ai nuk do të më jepte emrin e tij, por sapo zbulova se punon për ATSG, një kompani shërbimesh për kontrollin e dokumenteve e punësuar nga Lufthansa”, shkroi artistja në InstaStory.