TIRANE- Shumë vendime të marra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë janë antikushtetuese. Këtë logjikë ka lënë të nënkuptohet me fjalët e saj kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, gjatë fjalës së mbajtur në Mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Sipas saj, KLD duhet të jetë më strikte dhe jo klienteliste në emërimin e gjyqtarëve, apo ngritjen e tyre në detyrë. “Shumë vendime të Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë konsideruar me shkelje kushtetuese prej Gjykatës Kushtetuese. Nga këto dukuri duhet të nxjerrim mësime, me qëllim që në këtë proces të shmangen shkeljet kushtetuese e ligjore”, theksoi Beçaj gjatë mbledhjes së djeshme.

Veç kësaj, kryetarja e Gjykatës së Lartë u ndal edhe tek masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, të cilat duhet të merren në rast se këta të fundit bëjnë shkelje të rënda ligjore. “Procedimet disiplinore duhet të respektojnë parimin e procesit të rregullt ligjor dhe të individualizimit të përgjegjësisë. Masat disiplinore nuk janë e nuk duhet të kthehen në qëllim në vetvete e aq më tepër nuk duhet të jenë selektive. Nëpërmjet tyre duhet të synohet për të korrigjuar gabimet, për të ndëshkuar në masën e duhur shkeljet individuale, e për të shëndoshur gjithë sistemin në tërësi”, vuri në dukje kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj.

Sipas saj, gjyqtarët nuk mund të procedohen me mase disiplinore për vendimet e tyre, kur ato nuk pëlqehen nga faktorët politikë, madje edhe nga opinioni publik në rrethana të caktuara. Beçaj sqaroi se gjyqtarët mund të procedohen për dhënien e vendimeve vetëm në rastet kur vendimet e tyre janë prishur nga gjykatat më të larta për shkelje të rënda të ligjit. Një tjetër çështje ku u ndal gjatë fjalimit të saj kryetarja e Gjykatës së Lartë ishte edhe ajo e miratimit të ligjit për këtë gjykatë. Beçaj kërkoi që të miratohet sa më shpejt ky ligj, në mënyrë që të mund të nisin nga funksionet e tyre edhe gjykatat administrative. Në fjalën e saj, kryetarja e Gjykatës së Lartë kërkoi që t’u jepet fund zvarritjeve të proceseve gjyqësore. Veç të tjerash, një vend të rëndësishëm në Beçajt zuri edhe çështja e buxhetit dhe investimeve në sistemin e gjykatave, i cili duhet të shtohet, pasi çdo herë e më tepër ka ardhur duke u pakësuar. 
 

DREJTËSIA 

Gjatë ditës së djeshme është mbledhur Konferenca Gjyqësore Kombëtare, për të zgjedhur mes shtatë gjyqtarësh që kandidojnë për dy vende vakante në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit, njëkohësisht dhe kryetari i KLD-së, Bujar Nishani kërkoi më shumë përgjegjësi nga gjyqtarët, në mënyrë që qytetarëve t’u rikthehet besimi tek drejtësia. “Sistemi i drejtësisë është as i sëmurë, as i shëndoshë. Ju takon ju, e keni përgjegjësi profesionale e shoqërore ta përmirësoni”, theksoi Nishani. I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili u bëri apel gjyqtarëve që të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit. “Ju duhet që sot të jepni një mesazh në luftën kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe të zgjidhni ata që e kanë këtë platformë, ata që do të premtojnë para jush se do të promovojnë të ndershmit. Unë kam besimin e plotë që ju do ta bëni këtë”, deklaroi ministri Halimi. Punimet e kësaj konference mbyllen ditën e sotme.