Gjykata ka refuzuar të rishikojë dëmshpërblimin prej 110 milionë eurosh që Shqipëria duhet t’i paguajë Françesko Becchetit, pronarit të televizionit që u mbyll nga qeveria shqiptare, Agon Channel.
Vendimi është marrë më 29 mars, ku një trupë gjykuese e përbërë nga shtetasi amerikan Grant Hanessian si kryetar, Robert Anderson KC i Mbretërisë së Bashkuar dhe Charles Poncet i Zvicrës urdhëruan rrëzimin e përshpejtuar të kërkesës për rishikim nga ana e Shqipërisë.
Gjykata argumentoi se në kërkesën e Shqipërisë nuk ishte vërtetuar se kishte ndonjë fakt të ri që nga vendosja e dëmshpërblimit në vitin 2019.
Çështja u hap në Gjykatën e Arbitrazhit në vitin 2015, ku paditësit pretendonin se ishin viktima të një fushate të motivuar politikisht që synonte investimet e tyre në sektorët e medias, hidroenergjisë dhe menaxhimit të mbetjeve të vendit.
Shqipërisë, përveç shumës prej 110 milionë euro të vendosura në vendimin e parë, i shtohet edhe detyrimi prej 145 mijë euro si detyrime për rihapjen e çështjes.