"Një gjykatë ndërkombëtare vendosi njëzëri se qeveria shqiptare është fajtore për përndjekjen politike dhe për sjelljen korruptive e të padrejtë ndaj sipërmarrësit italian Francesco Becchetti".

Kështu e nis shkrimin e saj media italiane, ‘affaritaliani.it’., teksa bën një raportim mbi çështjen “Becchetti dhe fitoren e tij në gjyq përballë qeverisë Rama.

"Becchetti, që ndërkohë banon në Londër, është pronar i "Agon Channel", një stacion televiziv që transmetonte nga Shqipëria, i cili punësoi më shumë se 500 persona, kishte marrë një pozicion kritik ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit aktual, Edi Rama.

Me vendimin e marrë, Gjykata ndërkombëtare konkludoi se qeveria Rama lëshoi një urdhër-arresti të motivuar politikisht kundër Becchettit dhe ortakut të tij në biznes, duke i akuzuar ata për shmangie të taksave, falsifikim të dokumenteve, përvetësim dhe pastrim parash, duke kërkuar gjithashtu ekstradimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar.

Gjatë arbitrimit, gjykatat e Londrës kishin refuzuar tashmë kërkesat për ekstradim nga pala shqiptare, duke e konsideruar një abuzim serioz dhe Interpol kishte tërhequr urdhrat e arrestit ndërkombëtar kundër Becchettit dhe ortakut të tij të biznesit, De Renzis, pasi Shqipëria nuk ishte në gjendje ti justifikonte urdhër-arrestet.

Gjykata ndërkombëtare dënoi Shqipërinë për shpronësimin e paligjshëm të stacionit televiziv Agonset, në shkelje të traktatit të investimeve bilaterale midis Italisë dhe Shqipërisë, dhe urdhëroi pagimin e 140 milion eurove si kompensim ndaj Francesco Becchettit nga Qeveria Shqiptare.

Ndërkohë që Becchetti pas vendimit bëri këtë koment:

"Familja ime dhe unë jemi të kënaqur që 4 vitet e betejave ligjore kundër arrestimit të paligjshëm dhe persekutimit politik kanë përfunduar. Mendimet tona të para shkojnë për të gjitha familjet e punonjësve të grupit mediatik që kane vuajtur kaq padrejtësisht për shkak të veprimeve të nxituara të qeverisë së korruptuar shqiptare. Ne jemi të kënaqur që gjykata ndërmori një hap të jashtëzakonshëm për të konfirmuar se ne kemi qenë të përndjekur nga shteti shqiptar. Ne mezi presim që të vazhdojmë me jetën dhe aktivitetet tona."

"Policia shqiptare ndaloi punonjësit e Agon Channel në kufi. Subjektet, të cilët janë përcaktuar nga Qeveria shqiptare si "persona shumë të rrezikshëm", përfshijnë gazetarë, drejtorë dhe analistë, por dhe kameramanë, operatorë e parukierë të TV-së",- perfundon shkrimi në median italiane.