DURRËS, 8 tetor 2013 – “Gol në minutën e fundit”, LSI-ja arriti të përmbysë vendimin për emërimin e Andrea Miçit dhe mundi të caktojë Selim Belortanë si drejtor të përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës sha (APD). “Dyrrah”-u mësoi nga një anëtar i këshillit drejtues të APD sha se më 8 tetor 2013, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, përfaqësues i LSI-së, propozoi si drejtor ekzekutiv kandidaturën e ekonomistit të shquar Selim Belortaja, gjë që u miratua nga ky këshill. Sikurse është raportuar më parë nga mediet, kryeministri Edi Rama kishte paraqitur emrin e Andrea Miçit (ish-kryetar i degës së PBDNJ-së Korçë) për nr. 1 të “portës” së Korridorit 8-të në vend të Eduard Ndreut të PD-së. U përfol se Miçi ishte kushëri i zëvendëskryeministrit Niko Peleshi dhe se kishte përvojë në një agjenci spedicionere detare në Pire të Greqisë. Përmbysja e një vendimi të Ramës përbën befasi më vete, prandaj dhe zyrat përkatëse të shtypit (faqja e ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës është ende “under construction”) nuk e publikojnë, me sa duket, nga droja e reagimeve të mundshme. Qarqe të biznesit të transportit në qytetin bregdetar e shohin emërimin e një figure më peshë në LSI si fitore të një klani durrsak, që kërkon kontrollin e plotë të portit. Ndërkaq, rokada Miçi-Belortaja, për rastësi, është rokadë korçarësh. Gjithsesi, Belortaja është një emër më i madh se posti që i dhanë, duke pasur parasysh se ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme, dhe një nga “papët” e ekonomisë shqiptare, me emër ndërkombëtar. Nuk është përfolur për korrupsion dhe shquhet për integritet moral, gjë që do të ndihmojë dhe në mbarëvajtjen e punës në portin më të madh të punës, ku jo në pak raste ka qenë në shënjestër të krimit të organizuar, trafiqeve të drogës, armëve, klandestinëve, materialeve radioaktive.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/