·        Plasin divergjenca mes aleatëve të djathtë / Ish-ministri i 26 të vrarëve në Gërdec i bën biografinë ish-kryetarit të PDR-së

·        “Tutori” i SHQUP-it për qytetin bregdetar Edmond Spaho: E parakohshme të flitet për negociata midis partive dhe për emra specifikë

DURRËS, 3 mars 2015 –  Nëse ka autoritet, Genc Pollo le të kandidojë në Durrës, aludimin befasues e ka bërë kryetari i PR-së Fatmir Mediu, të cilin duket sikur e kanë “pickuar grenzat” kur Genc Pollo deklaroi se Durrësi i përket PD-së.  “durreslajm.com” është media që e ka zbardhur më gjerësisht intervistën e Pollos në Vizion Plus, me titullin provokues: “Pollo: Në Durrës nuk bëjmë eksperiment me kandidat nga PR” (http://www.durreslajm.com/politike/pollo-n%C3%AB-durr%C3%ABs-nuk-b%C3%ABjm%C3%AB-eksperiment-me-kandidat-nga-pr). Korrespodenca e “Dyrrah”-ut ka pasur jehonë në degën e PD-së, gjë që mund të ketë alarmuar së tepërmi lobin pro-Duka dhe vetë Mediun, i cili ka interesa të posaçëm në mega-Durrësin e pas-21 qershorit. Më shumë se Dukës kreut republikan i është kthyer në obsesion zona Përroi i Agait-Kepi i Rodonit.

Vazhdon errësira e së djathtës për njeriun që do të mundë PS-në në qytetin bregdetar më 21 qershor 2015. Jo vetëm kaq, situata po bëhet edhe më “lesh arapi”. Pas 50 kandidaturave që kanë propozuar seksionet e degës PD-së Durrës, mund të ndodhë edhe që deputeti i PD-së Genc Pollo të përzgjidhet nga Tirana. Ndoshta, sepse Polloja mund të vetëquhet durrsak në vijë amësore.

Gjithsesi, edhe sikur kjo të jetë aluduar në inat e sipër nga kreu republikan, këtij të fundit i ka “djegur” argumenti i Pollos pse qytetet e mëdha si Durrësi, Korça, Elbasani, Shkodra, Tirana duhet t’i përfaqësojë PD-ja me figura që demokratët i quajnë të tyret, ndryshe mund të ketë firo deri 30-40 për qind nga votuesit “blu”.

I nervozuar nga kjo gjë, Mediu ka nxjerrë “dorezat e boksit” në Vizion Plus, duke lënë të nënkuptohet se, jo vetëm Duka nuk është i tyre (i demokratëve), por as Polloja, të cilit ish-ministri i 26 të vrarëve në Gërdec i bën “biografinë” si ish-kryetar i PDR-së. Shantazh ky ala Tomë Doshi ndaj PD-së. I vrerosur në kulm, Mediu deklaroi:

“Unë e di që PDR-ja është shkrirë te PD-ja dhe jo PD-ja te PDR-ja. Po të jetë se ka këtë autoritet, zoti Pollo të shkojë dhe të kandidojë. Unë do ta mbështes zotin Pollo të fitojë në Durrës, edhe z. Duka do të bëjë të njëjtën gjë.

Është shumë e rëndësishme që, kur flasim për bashkëpunim, të kuptojmë se nuk thuhet kush është më i madhi dhe kush është më i vogëli, por flitet për autoritete që mund të fitojnë”.Por është munduar të ulë gjakrat nënkryetari i PD Edmond Spaho, i cili drejton grupin e punës për zgjedhjet në Durrës, madje t’i japë njëfarë shprese PR-së, duke thënë:

“Gjithmonë jemi përpjekur që aleatët të marrin edhe më shumë se kapaciteti elektoral që mund të kenë. Është një shprehje besimi dhe përgjegjwshmërie nga ana e PD-së”.

Ndërkaq “tutori” i SHQUP-it për fashën bregdetare ka ruajtur vijën zyrtare:

“Është e parakohshme të flasim edhe për negociata midis partive, por edhe për emra specifikë”.

Sfondi / Ja çfarë ka deklaruar Polloja që ka acaruar Mediun:

“Ka një përvojë të konsoliduar dhe nuk kemi nevojë për shpikje të reja. PD-ja dhe strukturat e saj në çdo bashki japin emrat e kandidatëve, që janë anëtarë të PD-së ose të personaliteteve të afërta me PD-në dhe jo detyrimisht të partive aleate. Pastaj në qendër [Tiranë] mund të shikohet ndonjë kombinim i mundshëm. Në mënyrën si kanë ecur punët në PD dhe qendrën e djathtë, që kandidatët kryesorë në bashkitë e mëdha kanë ardhur gjithmonë nga PD-ja. Ky ka qenë rregulli dhe nuk kemi ndonjë situatë të re për ta ndryshuar”.

Unë mendoj që qytetet e mëdha, përfshirë dhe Durrësin, kanë nevojë për një figurë, të cilën demokratët, që janë edhe masa e stërmadhe, baza e qendrës së djathtë, ta ndiejnë të tyren. Mendoj që nuk mund të jetë një figurë që vjen nga Partia Demokristiane, Partia Republikane, dhe pse mund të qëllojnë figura interesante, që kanë rrethin e tyre, që mund të kenë biografi politike të larmishme ose të njëtrajtshme. Nuk po gjykoj individë të veçantë. Por në Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër, Korçë dhe Elbasan, për rrethanat konkrete që kemi, mendojmë që kandidatët do të vijnë dhe duhet të vijnë, në interes të së djathtës, në interes të opozitës, nga PD-ja. Natyrisht, ka vend për hapësira, kompromise. Por mendoj se do të ishte me risk të madh që të rrezikohej, me trille individuale, një bashki si Durrësi, Shkodra, Elbasani, aq më pak Tirana.

Besoj, për rrethanat faktike të elektoratit të djathtë, bëhet e domosdoshme që kandidati i qendrës së djathtë për bashkitë e mëdha me një traditë të konsoliduar elektorale, për të rritur shanset e fitores, do të duhej një kandidat që vjen nga PD-ja, apo ndonjë figurë e afërt me PD-në, por si propozim i PD-së. Ndryshe, do të ishte një eksperiment me risk të lartë dhe pa asnjë lloj leverdie, gjë që i kushton një humbje. I kushton një ftohje të elektoratit të madh të qendrës së djathtë, i cili është nëntëdhjetë për qind, mos më shumë, i PD-së. Një figurë e huaj për të [elektoratin e PD-së], sado që atë ta bekojë Lulzim Basha, Kryesia e PD-së, z. Berisha, kur nuk “ngjit”, nuk “ngjit”. Besoj se udhëheqja e PD-së është shumë e ndjeshme, dhe më të drejtë dhe nuk është hera e parë e ndjeshme ndaj një sentimenti të bazës së partisë.Mund të ndodhë që të jetë vënë një kandidat krejt i papërshtatshëm, dhe gabime kanë ndodhur që janë bërë. Por nga ajo masë që gjithmonë vjen ditën e diel dhe hedh votën në kuti, tridhjetë apo dyzet për qind e saj, e ftohur nga kandidatura apo rrethana të tjera, nuk shkon të votojë. E kujt është leverdia?!

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/