17 qershor 2015 – Durrësi premton garë deri në minutën e fundit. Tashmë fushata ka arritur në kulm dhe është e pamundur që sondazhi ta parashikojë fituesin.

Vangjush Dako me Grida Dumën do të ndahen me votën e fundit. Sipas sondazhit të tretë në rang kombëtar publikuar nga IPR Marketing dhe Ora News mbrëmjen e djeshme, kandidati i majtë merr 51% të votave kundrejt 49% të kandidates së djathtë. Madje, i njëjti rezultat ka qenë edhe në sondazhin e parë të 13 majit.

Pas thellimit të diferencës në sondazhin e dytë ku Dako merrte 54% të votave dhe Grida DUma 46%, në sondazhin e fundit, gjithçka është si në fillim.

Durrësi, përveç surprizës së fituesit, është adrenalinë për të apasionuarit e zgjedhjeve.

Përsa i përket koalicioneve, e majta ka shënuar rënie krahasuar me sondazhet e para. Ajo merr 54% të votave kur në sondazhin e parë merrte 57% dhe në të dytin 58.5%, ndërsa e djathta është rritur me 4.5 pikë nga hera e fundit.

APPD merr 45% të votave pas 41.5% të sondazhit të 13 majit dhe 40.5 të sondazhit të 3 qershorit. Partia Socialiste është partia e parë në Durrës me 39% të votave, PD-ja e dyta po me 39% të votave dhe LSI-ja me 10% të votave.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/