Në mungesë te këshilltarëve demokratë ka nisur mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak në Durrës.
Këshilltarët e djathtë e kanë bojkotuar mbledhjen. Ndërsa këshilltarët e LSI-së, jo vetëm që kanë marrë pjesë, por kanë suprizuar me votat pro për miratimin e projektvendimeve të paraqitura nga bashkia.
Kjo mbledhje pritej të ishte edhe “prova e zjarrit” për Kreun e bashkisë Vangjush Dako, i vënë nën akuzë për blerje votash nga opozita në qendër, çështje të cilën e ktheu në kauzë, për të dorëzuar mandatet e deputetëve dhe për të nisur protestat para institucioneve. Por pjesëmarrja e 13 këshilltarëve të LSI-së në Këshill, bëri që të plotësohej kuorumi i nevojshëm prej 26 anëtarësh për të nisur mbledhjen. Madje nuk pati as debate në mbledhjen e Këshillit, ku në unanimitet PS e LSI miratuan projektvendimet në mungesë edhe të kreut të bashkisë Vangjush Dako.
Në mbledhje janë miratuar një sërë projektvendimesh shumë të rëndësishme që kanë impakt drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve durrsakë duke nisur nga programet sociale të strehimit, miratimin e buxhetit shtesë të vitit 2019 të bashkisë, miratimin e fondit të bursave, etj. Disa projektvendime të tjera siç janë shpërndarja e banesave sociale u shtynë për në mbledhjet e ardhshme sepse duhet shumica e cilësuar prej 3/4 e këshillit.





