Me Gonzalo Higuanin që nuk po kalon një moment të mirë, Milani po mendon për dikë tjetër për sa i përket të ardhmes. Nëse argjentinasi deri në fund të sezonit nuk jep kontributin për të cilin u afrua te kuqezinjtë, me shumë gjasa këta të fundit nuk do të ushtrojnë të drejtën e blerjes.“El Pipita” është mbi 30 vjeç, rëndon shumë në bordero dhe po aq në arkat e “Djallit” nëse vendoset të blihet kartoni i tij.

Në “Casa Milan” po përgatisin një plan rezervë për verën dhe ai mund të jetë Krizhtof Piontek, që aktualisht militon te Xhenoa ku ka shënuar 19 gola në 21 takime zyrtare mes Kupës së Italisë dhe kampionatit.Polaku pëlqehet nga shumë klube të Serisë A, por edhe në Europë nuk i mungojnë admiruesit. Listës së kandidatëve i është shtuar edhe Milani që në një interes paraprak është njoftuar se lojtari vlerësohet të paktën 60 milionë euro, megjithëse vetëm 6 muaj më parë për kartonin e tij u paguan 4 milionë euro.

Presidenti xhenoan, Enriko Preciozi, është një mik i Milanit, por në merkato nuk bën ulje. Ai shpreson që deri në verë të stisë një ankand për të përfituar sa më shumë nga shitja e 23-vjeçarit që shënon 1 gol çdo pesë goditje në kuadrat.Ecuria në Serinë A ku ka shënuar më shumë se kushdo, përveç Ronaldos, e bën një pre të parapëlqyer në merkato, sepse nëse kartoni i tij vlen disa dhjetëra milionë, paga e tij e ardhshme do të ishte e përballueshme me lojtarin që në sezonin e parë në një klub të madh do të paguhej jo më shumë se 4 milionë euro.

Përveç moshës, pikërisht rroga është një tjetër aspekt që Milani nuk mund të nënvlerësojë. Në rast se Higuain nuk “shkundet” e aq më tepër nuk çon Milanin në Champions, vështirë se do të vishet kuqezi edhe në sezonin tjetër, me Piontek që mund të “thirret” për të shëruar “Djallin” dhe për të thyer mallkimin e numrave 9 te Milani.