Dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner rezulton i regjistruar për të votuar si femër, që prej tetë vitesh, raporton “BBC”.

Gjinia e tij është e shënuar si “femër” në të dhënat e Bordit të Zgjedhjeve të Shtetit të New York-ut.

Sipas të dhënave të publikuara nga ‘Wired’, Kushner, i cili është një këshilltar i lartë i presidentit Trump, u regjistrua për të votuar në nëntor të vitit 2009 në New York.

Ish-biznesmeni nuk ka dhënë asnjë koment mbi këtë informacion shpërndarë nga mediat amerikane, kështu që mbetet e paqartë se si ka ndodhur gabimi.

Por kjo nuk ka gjasa të konsiderohet si mashtrim me votën, pasi kjo do duhej të merrej si bazë nëse personi që shpallet fajtor, kishte dhënë me dashje informacione të rreme.

Presidenti Trump trumbetoi shumë mbi këtë temë pas zgjedhjeve të vitit 2016, duke thënë se “miliona njerëz” kishin “votuar në mënyrë të paligjshme”, por pa dhënë asnjë provë.