Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka folur në konferencë për media pas takimit në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ku ka thënë se Shqipëria e ka për detyrë të jetë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
“Marrëdhëniet midis dy shteteve unë nuk do ti quaja shumë të mira politikisht, por janë marrëdhënie siç duhet të jenë.
Janë jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore.
Është e rëndësishme që të punojmë për popullin tanë. Marrëdhëniet ekonomike duhet të zhvillohen.
Politika jonë e jashtme është e linjëzuar me atë evropiane dhe euroatlantik.
Shqipëria e ka për detyrë që të jetë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
Jam shpresë plotë që nesër do të kemi votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës”, ka thënë Begaj.
E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e thellë për Shqipërinë.
“Kurrë nuk është e tepërt që ta shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shqipëria ka bërë dhe po vazhdon të bëjë.
Këto ditë Kosova po përballet me një sfidë të re siç është anëtarësimi në Këshillin e Evropës.
Jemi te bekuar që në çdo hap të këtij procesi kemi pasur përkrahjen e fuqishme të Shqipërisë. Synimi ynë është integrimi i plotë në strukturat euroatlantike.
Në këtë rrugë do të ndjekim shembullin e Shqipërisë.
Jemi të bindur që kjo është rruga e vetme për ne. Asnjëherë nuk ka pasur alternativë tjetër”, tha Osmani.