Presidenti Bajram Begaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku u takua me presidenten Siljanovka.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kreu i shtetit deklaroi se zbatimi i ligjit për gjuhët është thelbësor pasi shqiptarët janë faktor shtetformues.

“Si presidenti i Shqipërisë, duhet të flisja për rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët këtu janë shtetformues dhe kontribues, konstruktiv. Shqiptarët mbeten faktor kyç për stabilitetin politik. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasit në Shqipëri mbeten urë bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Shqipëria e konsideron historike marrëveshjen kornizë të Ohrit. Ne besojmë se përfaqësimi i drejtë dhe dinjitoz i shqiptarëve në institucionet shtetërore, zbatimi i ligjit të gjuhës shqipe dhe ruajtja e mekanzimit të barazisë, janë elementë kryesorë për stabilitetin dhe perspektivën europiane. Koha na ka mësuar se çdo vendimmarrje e balancuar dhe gjithëpërfshirëse, është zgjidhja më e mirë për qytetarët. Folëm me presidenten, për integrimin europian, i cili nuk është vetëm objektiv kombëtar i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Verut, por objektiv i përbashkët. Objektivi ynë është të mbyllim kapitujt në 2027 dhe të jemi në BE brenda 2030. Vlerësuam edhe bashkëpunimin e dy vendeve tona në fushën e sgiurisë dhe mbrojtjes. Ky bashkëpunim i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përballen me sfida të përbashkëta sigurie”, tha Begaj.

Begaj u ndal edhe te Korridori VIII si një projekt që shënon një epokë të re bashkëpunimi

“Vendi juaj konsiderohet partner i rëndësishëm ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit dhe të transportit. Mendoj që përmes zbatimit të projekteve të nënshkruara më parë kemi realizuar rezultate konkrete përfshi dhe lehtësimin e lëvizjes në vendkalimet kufitare. Ne duhet ta thellojmë më tepër bashkëpunimin politik, ekonomikë dhe shoqërori dhe të krijojmë sinergji të reja në energjinë e gjelbër, ekonominë digjital. Korridori VIII është simbol i kësaj epoke të re bashkëpunimi, ky është korridor është energjetik, hekurudhor dhe rrugor, dhe mbi të gjitha korridor i sigurisë evropiane që lidhë Mesdheun me Detin e Zi duke i vendosur dy vendet tona në zemrën e këtij aksi strategjik”, theksoi ai.