Presidenti i Republikës Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneralmajor Arben Kingji.

Ky takim u krye për t’u njohur me konkluzionet e samitit informal që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg zhvilloi në Shkup dhe ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe Presidenti i Kroacisë.

Kjo ishte hera e parë që një takim i nivelit të lartë të NATOs,  zhvillohet në këtë format dhe në një vend të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria është sot e gatshme të ofrojë organizmin e samiteteve të tilla në Tiranë.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike për aleancën Euro-Atlantike. Situata e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës, mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kërcënimet për ndarje në Bosnjë –Hercegovinë, si dhe ndikimet e Rusisë dhe Iranit për të minuar demokracinë nëpërmjet kërcënimeve hibride dhe kibernetike janë arsye për t’u shqetësuar.

Shqipëria është një faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe aleat i rëndësishëm për NATO-n.

Në samitin  e  NATO-s që do zhvillohet vitin e ardhshëm në Ëashington do të merren vendime të rëndësishme në drejtim të përshtatjes dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe parandaluese.

Në këtë kuadër,  në takimin e sotëm u diskutua për hamonizimin e planeve të mbrojtjes kombëtare me ato të NATO-s si dhe rritjen e kontributit me trupa nëse një gjë e tillë do të kërkohet nga NATO.

U dakordësua  si prioritet hartimi i dokumentave strategjikë si, Strategjia e Sigurisë Kombëtare si edhe dokumenta të tjerë të rëndësishëm për realizimin e misionit kushtetues të Forcave të Armatosura.

Rritja  e buxhetit të mbrojtjes me 2% të GDP, dhe arritja e angazhimit të marrë në Samitin e Ëellsit  të mundësojë modernizmin e Forcave të Armatosura dhe forcimin  e mbrojtjes kibernetike.