Në Ditën Ndërkombëtare të Personave më Aftësi të Kufizuar, Institucioni i Presidentit të Republikës hapi dyert për të mirëpritur personat me aftësi të veçanta, si dhe organizatat dhe aktivistët që punojnë për respektimin e të drejtave të tyre.
Presidenti Bajram Begaj, ndau me të ftuarit përjetime nga takimet e tij në bashki të ndryshme të vendit në kontekstin e trajtimit të personave me aftësi të kufizuara nga shoqëria shqiptare, deri tek institucionet përgjegjëse.
Presidenti Begaj veçoi Bashkinë e Vaut të Dejës, ku numri i këtyre personave është i lartë dhe shoqëria ka probleme në pranimin e zëshëm të tyre, Bashkinë e Roskovecit, ku prindërit investohen fort e punojnë me fëmijët me ndihmën e qendrës së vogël të bashkisë, si dhe Institutin e Personave që nuk shohin e dëgjojnë, ku punohet shumë fort me aftësitë e veçanta të fëmijëve, sidomos në art.
“Aftësia e kufizuar nuk është thjesht çështje e shëndetit publik, është çështje që lidhet me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin shoqëror”, theksoi Presidenti i Republikës. Duke nënvizuar progresin me kuadrin ligjor, Presidenti Begaj u shpreh se puna nuk duhet të ndalet këtu: “Ne kemi përgjegjësi të përbashkët për ta çuar më tej këtë mision, duke fokusuar përpjekjet tona në disa drejtime kyçe. Punësimi nuk është thjesht një mundësi ekonomike, është një çelës për dinjitetin dhe pavarësinë e çdo individi. Aksesueshmëria është një tjetër aspekt që duhet përmirësuar. Nga infrastruktura fizike, tek informacioni dhe komunikimi, duhet të sigurojmë që çdo individ të ketë akses të plotë dhe të barabartë në hapësirat publike. Kjo është e drejtë themelore, jo luks. Gjithashtu, ne duhet të ndërtojmë parakushtet e nevojshme që personat me aftësi të kufizuara të kenë mundësinë të jetojnë në mënyrë të pavarur, sipas zgjedhjeve dhe prioriteteve të tyre”.
Presidenti i Republikës përgëzoi në mënyrë të veçantë donatorët e huaj që mbështesin integrimin në shoqëri të personave me aftësi të kufizuar, si: Ambasadën Amerikane në Tiranë, projektet e USAID dhe ato të Bashkimit Evropian.
Një mesazh të posaçëm Presidenti i Republikës përcolli për të gjitha organizatat dhe familjet që kontribuojnë për personat me aftësi të kufizuara: “Ju jeni shembulli i vërtetë i përkushtimit dhe kurajës. Misioni juaj për të mbështetur dhe fuqizuar komunitete të tilla është themelor për ndërtimin e një Shqipërie më të fortë e më gjithëpërfshirëse”.
Në përpjekjet për të konsoliduar një kulturë më gjithëpërfshirës ndaj personave me aftësi të kufizuara, për të ofruar shërbimet e duhura mbështetëse në zbatim të detyrimeve ligjore për fëmijët dhe të rriturit, Kreu i Shtetit rikonfirmoi qëndrimin se do të jetë krah veprimtarëve që kanë këtë mision të tillë: “Si President, unë angazhohem për të mbështetur një zbatim më të mirë të politikave që promovojnë barazinë dhe aksesueshmërinë. Gjithashtu, ftoj çdo institucion dhe çdo qytetar të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje”.
Duke u ndalur te fëmijët me aftësi të veçanta, Presidenti Begaj u shpreh se ata kanë nevojë për shërbime të personalizuara, mbështetje edukative, terapi zhvillimi dhe burime që iu mundësojnë një jetë sa më të përmbushur.
Gjatë këtij aktiviteti, Presidenti i Republikës u njoh me programet e organizatave dhe të aktivistëve që u shërbejnë personave me aftësi të kufizuar, si edhe ndoqi pjesët e interpretuara nga artistë me aftësi të veçanta.