Pas një dite pushim të akordurar nga stafi teknik, pasditen e të martës Teuta nisi përgatitjet për ndeshjen e radhës me Partizanin. Barazimi me Kamzën ka lënë një shije të hidhur dhe kjo dukej qartë te futbollistët, që tani ndiejnë presionin e rënies nga kategoria kur kanë mbetur edhe pesë javë.
I gjithë grupi i lojtarëve ishte në dispozicion të stafit teknik me përjashtim të qendërmbrojtësit Ante Hrkaç, i cili ndodhet në Kroaci dhe do të bashkohet sot me skuadrën. Begeja i dha një ditë më shumë pushim 26-vjeçarit për të qëndruar pranë familjes me motivin e largësisë. Hrkaç pësoi një tjetër dëmtim në tendinën e gjurit të djathtë kundër Kamzës dhe bregdetarët ishin në ankth për gjendjen e tij, pasi kroati është një nga shtyllat e mbrojtjes.
Stafi mjekësor garanton se 26-vjeçari do të jetë në dispozicion të trajnerit ndaj Partizanit. Një lajm i mirë për Begejan, që kërkon të marrë maksimumin nga ky takim.
Begeja e nisi stërvitjen, duke përgëzuar skuadrën, e cila barazoi vetëm në fund të ndeshjes, ndonëse nuk la pa përmendur edhe faktin që gabime si ato me Kamzën nuk duhet të përsëriten më, pasi pasojat do të jenë fatale. Në fund të takimit, kritika ishte për mungesë karakteri, por dje trajneri ka bërë motivuesin.
“Fillimisht dua t’u them se goli i shënuar në sekondat e fundit tregon shumë, pra ne besojmë dhe kemi karakter. E nisëm shumë mirë ndeshjen, por më pas ulëm ritmin dhe e pësuam keq. Nuk dua që gabime të tilla të përsëriten, disa lojtarë duhet të mbajnë më tepër përgjegjësi, është jashtë çdo logjike të jesh në avantazh të dyfishtë dhe më pas ta shikosh veten në disavantazh.
Këto 5 javë janë vendimtare për objektivin tonë dhe dua përqendrim maksimal nga të gjithë. Unë besoj te potenciali juaj dhe ju e keni treguar se jeni lojtarë me vlera, por kemi nevojë për vijimësi. Nëse të gjithë vendosim zemrën në fushë, nuk ka kundërshtar që na mund, por gjithashtu duhet edhe shumë punë gjatë javës në stërvitje dhe vigjilencë në fushë. Nuk dua të merremi fare me rivalët apo klasifikimin, kërkoj nga ju seriozitet dhe të jepni më të mirën në ndeshjet e mbetura”, mësohet t’u ketë thënë Begeja futbollistëve.





