Pas së dielës pushim, Teuta sot rifilloi përgatitjet në Pogradec. Stafi teknik vlerëson skuadrën për angazhimin që po tregon në stërvitje, si dhe shfaqet optimist për vazhdimësinë. Megjithatë, ai tregohet i kujdesshëm, duke i mbajtur të karikuar të gjithë lojtarët për formacionin, duke lënë të kuptohet se askush nuk është i pazëvendësueshëm.Gentjan Begeja flet për situatën në ekip, por nuk heziton që të komentojë edhe merkaton e bërë. Ai nuk e quan ende të mbyllur, ndërsa paralajmëron se shumë shpejt durrsakëve do t’i bashkohet edhe një sulmues. “Prej një jave jemi në Pogradec, ku po kryejmë fazën stërvitore. Mund të them që deri diku jam i kënaqur.Djemtë po tregojnë pjekuri dhe i marrin me seriozitet seancat stërvitore dhe kjo më jep mjaft besim për vazhdimësinë, pasi përgatitjet janë bazike. Kemi grup me lojtarë të rinj në moshë, megjithatë Teuta e ka dëshmuar edhe më herët, se ky faktor nuk ndikon në fushë.Ata impenjohen dhe mundohen të japin më të mirën e mundshme, duke u stërvitur siç duhet dhe duke zbatuar me pjekuri udhëzimet e bëra. Unë u kam kërkuar të gjithëve që të përqendrohen në çdo seancë apo në ndeshje miqësore. Jemi skuadër e cila luan në grup dhe kjo duhet të na karakterizojë edhe gjatë këtij kampionati. Nëse çdo individ jep maksimumin për fanellën që mban veshur nuk do të mungojnë paraqitjet e mira dhe as rezultati.Në këtë mënyrë shpërblehet më së miri puna e tyre, por edhe puna jonë dhe e klubit që ka investuar. Deri më tani kemi afruar disa lojtarë, por merkatoja nuk ka përfunduar. Jemi ende në kërkim të një sulmuesi dhe besoj se shumë shpejt do të vijë zyrtarizimi”, u shpreh trajneri i Teutës, duke konfirmuar edhe deklaratën e dhënë nga presidenti Edmond Hasanbelliu. Kujtojmë që klubi po heziton për afrimin e belgut Nikol Napol për shkak të moshës së re. Kjo pistë ende nuk mund të quhet e mbyllur, megjithatë durrsakët po operojnë në merkato për të gjetur një tjetër “bomber”, i cili do të blindonte ofensivën për sezonin e ri.