Gentian Begeja pret fitoren e parë kundër Korabit. Trajneri i rikthyer rishtas në krye të Teutës pas largimit të Çezare Bezhit, gjatë një deklarate i bën analizën ndeshjes së fundit në Kupë dhe flet për të radhës. Ai evidenton se skuadra po vuan një ngërç psikologjik, megjithatë takimin me dibranët e konsideron si të duhurin për të gjetur kthesën e madhe. Begeja e thotë hapur se trepikëshi është kthyer në detyrim tashmë, e sidomos kur këtë fundjavë luajnë në “Niko Dovana”. 

“Nuk dua të flas shumë sa i përket emërimit tim si trajner. Unë e pata thënë edhe më parë që jam pjesë e familjes dhe do ta drejtoj ekipin sa herë të ketë nevojë”, kështu e nis deklaratën e tij tekniku. Ai më pas ndalet te barazimi me Shënkollin: “Për ndeshjen e Kupës, të cilën e drejtova unë, di të them që ekipi luajti mirë. Krijuam shumë raste për të shënuar, por që ka një ‘ngërç’ te sulmuesit të cilët nuk po zhbllokohen, gjithsesi unë nuk isha i fokusuar te rezultati, sesa te dhënia e minutave lojtarëve të cilët nuk kanë luajtur shumë, si dhe aktivizimi i lojtarëve të rinj. Kualifikimin as që e diskutojmë dhe rrjedhimisht ndeshja e parë ishte më shumë për të parë lojtarët. Sfida jonë e vërtetë është në fundjavë kundër ekipit të Korabit për kampionat”.

Numri një i pankinës durrsake komenton gjerësisht takimin e radhës dhe u rikujton edhe një herë detyrat lojtarëve. “Është një përballje, e cila duhet fituar me patjetër. E kemi detyrë shtëpie marrjen e maksimumit në shtëpi. Jo se dua t’i ul vlerat kundërshtarit, përkundrazi. Korabi ka krijuar një ekip simpatik me lojtarë cilësorë, por di aftësitë e Teutës dhe nuk duhet të jetë aty në fund të tabelës. Skuadra duhet të fillojë rrugën e saj drejt ngjitjes dhe të ketë ecuri konstante. Në këtë ndeshje edhe sulmuesit të zhbllokohen se besoj është më shumë psikologjike e gjithë kjo shterpësi. Në momentin kur do të shënojnë do ta kenë më të lehtë më tej. Duhet që të fitojmë për drejtuesit për veten dhe mbi të gjitha për tifozët tanë”, përfundoi Begeja.