Pas një dite pushim të akorduar nga stafi teknik, pasditen e së hënës Teuta filloi përgatitjet në terren për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Luftëtarit. Atmosfera në kampin bregdetar është mjaft e mirë pas dy fitoreve radhazi dhe tani kërkohet vijimësia. Trajneri Gentian Begeja e nisi javën anti-Luftëtari duke motivuar skuadrën, por në të njëjtën kohë u kujtoi se i pret një ndeshje shumë e vështirë.
“Kemi marrë një fitore me vlera të mëdha, por nuk ka vend për eufori, pasi nuk kemi bërë asgjë. Jemi sërish shumë të rrezikuar, madje më e vështira sapo ka filluar. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe dëshirë që kemi treguar në ndeshjet e fundit. Luftëtari është një kundërshtar shumë i rrezikshëm, ndaj duhet të tregohemi tepër të kujdesshëm në prapavijë dhe të jemi cinikë përpara portës. Nuk i shfrytëzojmë rastet që krijojmë dhe kjo është për të ardhur keq, pres më shumë nga të gjithë dhe e di se keni mundë- si për më tepër”, mësohet t’u ketë thënë 44-vjeçari futbollistëve.
Përballë është një kundërshtar tepër i fortë që lufton për t’u bërë pjesë e kompeticioneve europiane dhe ky takim premton spektakël. Në dy edicionet e fundit, qëkur gjirokastritët janë kthyer në sallonin e madh të futbollit shqiptar, ndeshjet mes tyre gjithmonë kanë qenë tepër të luftuara. Në këtë sezon, Teuta është superiore në krahasim me Luftëtarin duke regjistruar dy fitore në tri ndeshje, me bluzinjtë që e thyen këtë trend duke fituar takimin e fazës së tretë të Superiores.
Sa i përket vitit të kaluar, ku bregdetarët e siguruan mbijetesën vetëm në ndeshjet e fundit, gjirokastritët janë superiorë me 2 fitore, një barazim dhe një humbje. Megjithatë, nëse i analizojmë në total 7 ndeshjet e fundit mes tyre, gjithçka është në baraspeshë, me nga tri fitore për çdo ekip dhe një barazim. Sa u përket golave të shënuar në 7 ndeshjet e fundit, bregdetarët kanë një gol më shumë, pasi bilanci është 10-9. Ecuria e Teutës me trajnerin Begeja është premtuese, por fati i bregdetarëve varet nga rezultate që do të marrin në fazën e katërt.





