Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Eglantina Begteshi, njëkohësisht këshilltare në Këshillin Bashkiak e ka konsideruar administratën e pushtetit lokal të paaftë për të mbledhur të ardhurat. Sipas Begteshit një nga elementët kryesore të çdo buxheti është realizimi i të ardhurave. Begteshi ka akuzuar administratën e Bashkisë se ka bërë një planifikim me rezerva të buxhetit: “Të ardhurat për vitin 2011 janë realizuar në masën 72% kundrejt planit, pa përfshirë këtu transfertën e pakushtëzuar dhe duke përfshirë në të njëjtën kohë të ardhura të trashëguara nga viti 2010, në një vlerë prej 400 milionë lekë. Pavarësisht nga kjo, referenca nga plani arrin në 367 milion lekë më pak. Në këto kushte, diferenca është shumë e madhe dhe nuk mund të anashkalohet dhe të merret si bazë ky fakt për të planifikuar të ardhurat e vitit 2012, siç ka bërë Bashkia e Durrësit“. Begteshi i është referuar disa shembujve konkretë, të cilët sipas saj janë domethënës. Sipas kryetares së Këshillit të Qarkut: “E ardhura nga taksa e përkohshme e plazheve është realizuar në masën 65%, në një kohë që nuk ka patur hapësirë rëre bosh në plazhe. Po kështu duke ju referuar materialit të prezantuar nga Bashkia e Durrësit rezulton se numri i tregtarëve ambulantë është 961, në një kohë që në fakt janë mbi 2000“.

Duke ju referuar taksës vendore të biznesit të madh, Begteshi ka deklaruar se kjo taksë zë 21,1 % të të ardhurave të bashkisë dhe paraqitet në një realizim prej 76% kundrejt planit. “Një nga arsyet e mosrealizimit sipas planit është fakti se sipas ligjit 9632, dt 30/10/2006, kjo taksë paguhet më 20 prill, 20 korrik, 20 tetor dhe 20 janar të vitit të ardhshëm. Duke u nisur nga ky fakt del se të ardhurat e tremujorit të fundit të vitit do të pasqyrohen në vitin 2012. Ky fakt nuk mund të justifikojë mosrealizimin e kësaj të ardhure për arsye se çdo vit do të pasqyrojë tremujorin e IV të vitit të kaluar“. Duke ju referuar rezervave në mosrealizimin e të ardhurave nga ana e administratës së bashkisë, Begteshi ka marrë si shembull taksën e tabelës për qëllime reklamimi: “Taksa e zënies së hapësirës publike duhet planifikuar me kujdes, në mënyrë që të lihen sa më shumë hapësira publike për qytetarët“. Begteshi ka konstatuar gjithashtu se: “Të ardhurat nga institucionet shtetërore rezultojnë me tejkalim, në një kohë që bashkia ka mosrealizim“.

Një vëmendje të veçantë, këshilltarja Begteshi i ka kushtuar taksës së fjetjes në hotele e cila sipas saj: “Edhe pse në plan ka qenë me rezerva 4000 lekë, përsëri realizimi është më i vogël me 3.570 lekë. Nga ana e administratës së bashkisë duhet bërë gjithashtu një punë më e ndershme për evidentimin dhe vjeljen e taksave të të gjitha hoteleve“. Një nga problemet e ngritura nga kryetarja e Këshillit të Qarkut ka qenë edhe niveli i bashkëpunimit mes bashkisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, ku është kërkuar një vëmendje më e madhe përsa i përket mjedisit.