Aktualisht, ajo është femra në postin më të lartë drejtues në administratën publike në të gjithë qarkun e Durrësit. Fill pas zgjedhjes së saj në këtë post emri i Eglantina Begteshit është lakuar shpeshherë sepse ajo do të kujtohet gjithnjë si gruaja e parë që ka drejtuar institucionin e Këshillit të Qarkut. Ndërsa vlerësoi inisiativën e gazetës “Dyrrah” për të rezervuar një hapësirë të veçantë për femrat në karrierë të qytetit tonë, Begteshi nënvizoi se kuota 30% me të cilën gratë në rastin më të mirë duhet të përfaqësohen në vendimmarrje është ende mjaft larg aspiratave të grave, potencialit të tyre të vërtetë dhe aftësive profesionale. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe emancipimi i partive politike shihen prej saj si dy nga opsionet që duhet të kenë parasysh formacionet politike për të rritur kuotat e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje.
Zonja Begteshi, ju mbani aktualisht dy poste drejtuese, një në administratën publike dhe një në forcën politike në të cilën aderoni. Sa e vështirë është për ju të përmbushni të gjitha angazhimet në këtë drejtim?
Së pari unë dëshiroj t'ju falenderoj për intervistën dhe për prekjen e një temë që për ne femrat është mjaft e ndjeshme. Për t'ju përgjigjur pyetjes tuaj mund t'ju them se kur obligimet familjare, shtetërore, shoqërore apo politike kryen me dashuri dhe pasion, përkushtimi është i pakufishëm sa që çdo lloj vështirësie patjetër që do të tejkalohet dhe aq më tepër kur gjen mirëkuptimin e të gjithëve.
Numri i femrave mbetet ende i vogël në raport me kolegët e tyre meshkuj. Pse ndodh kjo gjë?
Vetë kuota 30 %, e vendosur për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, tregon se raporti është 30 me 70, pra do të vazhdojë të jetë i vogël, aq më tepër që kjo kuotë akoma nuk është arritur, por duhet thënë se nga viti në vit ka patur ndryshime pozitive në këtë drejtim dhe përpjekjet janë për të arritur këtë kuotë dhe besoj se do të arrihet.
Kur flitet për një grua në karrierë, zakonisht, i referohemi përherë performancës së saj në detyrë, por nuk duhet të harrojmë dhe rolin e saj në familje. Cilat janë vështirësitë me të cilat ju perballeni në këtë drejtim?
Siç e thashë edhe më sipër, me përkushtim dhe vullnet çdo gjë kapërcehet. Në familjen time kam dhënë, jap dhe do të vazhdoj të jap kontributin tim, por patjetër që kam mbështetjen e familjes sime e sidomos të bashkëshortit tim, i cili më ka përkrahur vazhdimisht.
A ju ka ndodhur që gjatë ushtrimit të detyrës të përballeni me skepticizmin e burrave që ende e kanë të vështirë të pranojnë një
shefe apo një drejtuese femër?
Administrata ku unë punoj ka rreth 50% gra. Ashtu dhe stafi drejtues; nga pesë drejtora, tre janë gra dhe konstatoj që ka një bashkëpunim të frytshëm dhe aspak skeptik ndërmjet drejtoreve femra dhe kolegëve të tyre meshkuj, e njëjta gjë konstatohet edhe me vartësit. Kjo gjë reflektohet shumë mirë dhe vertikalisht, që do të thotë marrëdhënia me kryetaren e Këshillit të Qarkut.
Shpesh, përveç skepticizmit të meshkujve, femrat përballen edhe me pagesa më të vogla për të njëjtin vend pune (fenomen i konstatuar
tek privatët). Pse ndodh kjo?
Po më kërkoni një përgjigje për një fenomen, i cili është shqetësues dhe i ngritur si i tillë në botën e qytetëruar. Statistikat në Shqipëri flasin për drejtim të sektorit privat nga meshkujt në pjesën dërrmuese të tij, besoj se përgjigjen mund ta gjeni duke ju referuar kësaj të dhëne.
Vitet e fundit është folur për rritjen e rolit të gruas në shoqëri, në politikë etj. Po pavarësisht projekteve e konferencave duket sikur
pak gjë është realizuar. Sipas jush, çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim?
Së pari, roli i gruas në shoqëri fillon nga bërthama e kësaj shoqërie që është familja. Së dyti, Shqipëria është një vend me një përqindje më të madhe popullsie rurale sesa urbane, prandaj mendoj që puna duhet të jetë më intensive në këtë pjesë të shoqërisë shqiptare (lidhur me ndërgjegjësimin e rolit të gruas si nënë e më pas si faktor lëvizës i shoqërisë), pa harruar dhe lënë pas dore aspak dhe zonën urbane. Përveç këtyre, mendoj se mekanizmi që ndryshon përfaqësimin e grave është dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, i cili do të favorizojë kuotimin, por në të njëjtën kohë partitë politike duhet të emancipohen për t’i krijuar hapësira më të mëdha përfaqësimit të grave.
Ju jeni e para femër në postin e kryetares së Këshillit të Qarkut. Nga kontaktet që keni me femra në poste drejtuese qofte në administratën publike apo në sektorin privat cilat janë problematikat kryesore me të cilat ato ndeshen gjatë ushtrimit të detyrës?
Siç u shpreha edhe më sipër, kur detyrat realizohen me përgjegjshmëri dhe këmbëngulje (gjë, e cila grave nuk u mungon), çdo lloj vështirësie patjetër që kapërcehet. Megjithatë nisur nga pyetja juaj, unë mendoj të realizoj një aktivitet të kësaj natyre, ku të diskutojmë për vështirësitë që hasim, për barazinë gjinore dhe sesi mund të kontribuojmë ne vetë për t’i sheshuar kontradiktat që mund të konstatohen gjatë ushtrimit të detyrës dhe profesionit dhe sesi mund të ndihmojmë njëra-tjetrën për të rritur edhe më shumë forcën e gruas në shoqëri e vendimmarrje.
Në këto vite të demokracisë, femra shqiptare ka bërë shumë përsa i përket emancipimit, shkollimit dhe integrimit në tregun e punës. A keni ju një këshillë për të gjitha femrat që kanë aspirata përsa i përket karrierës së tyre?
Folëm më sipër për skepticizmin e meshkujve, folëm mbi vështirësitë që një grua ka në realizimin e detyrave që ka marrë përsipër apo i ngarkohen dhe u shpreha se papërkulshmëria në realizimin e tyre është një nga faktorët kryesorë të suksesit, pa nënvlerësuar në asnjë moment të mësuarit, apo më mirë të nxënit gjatë gjithë jetës, pasi ai ndikon në rritjen e interesave progresiste të grave në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti.