Tranzicioni i energjisë do të jetë shumë më i lirë nga sa mendoni. Shumica e analistëve mbivlerësojnë kërkesën për energji dhe nënvlerësojnë përparimet teknologjike, shkruan The Economist

Njerëzit që duan të bëjnë më shumë përpjekje për të luftuar ndryshimet klimatike dhe ata që duan të bëjnë më pak, zakonisht kanë një gjë të përbashkët.

Të dyja palët pajtohen se dekarbonizimi i ekonomisë botërore do të jetë jashtëzakonisht i shtrenjtë. Në samitin vjetor të klimës të OKB-së që u mbajt së fundmi në Baku, Azerbajxhan, janë përmendur shifra shpenzimesh që shkojnë në disa dhjetëra trilionë dollarë.

Për shumë politikanë, këto shpenzime janë një humbje kolosale. Presidenti i zgjedhur i Amerikës, Donald Trump, e akuzoi Marrëveshjen e Parisit për uljen e emetimeve globale, si një marrëveshje që “i dëmton amerikanët dhe kushton një mal me para”. Në mandatin e parë, ai e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja.

Më pas, Joe Biden e anëtarësoi vendin sërish dhe pritet që Donald Trump tashmë ta nxjerrë për herë të dytë. Aktivistët e klimës në përgjithësi nuk e vënë në dyshim çmimin e kripur për frenimin e ndryshimeve klimatike.

Ata thjesht mendojnë se është një shpenzim që ia vlen barra qiranë, kur peshohet kundrejt dëmit katastrofik që ka të ngjarë të shkaktojë ndryshimi i pakontrolluar i klimës.

Sidoqoftë, kjo pikë e vetme pajtimi midis aktivistëve të klimës dhe skeptikëve që duan përdorimin e karbonit, mund të jetë në fakt, e gabuar. Gjelbërimi i ekonomisë botërore do të jetë shumë më i lirë nga sa mendojnë të dy grupet.

The Economist ka shqyrtuar matjet që kanë kryer një sërë ekonomistësh, konsulentësh dhe studiuesish të tjerë, për kostot globale të një “tranzicioni të energjisë”, me qëllimin për të arritur një botë me emetime zero të karbonit.

Ato shkojnë nga rreth 3 trilionë dollarë në vit, në gati 12 trilionë dollarë në vit, që është me të vërtetë shtrenjtë. Por këto shifra janë të fryra, në katër mënyra kryesore.

Vlerësime të fryra

Së pari, matjet e kostove përfshijnë shkurtime emetimesh që do të kryheshin me një shpejtësi të jashtëzakonshme (dhe për rrjedhojë do të ishin të kushtueshme).

Së dyti, matjet mbështeten në hamendësimin se popullsia dhe ekonomia e botës, dhe veçanërisht ekonomitë e vendeve në zhvillim, do të rriten me shumë shpejtësi, duke nxitur konsumin e shpejtë të energjisë.

Së treti, matje të tilla e nënvlerësojnë shumë uljen e kostos së teknologjive me karbon të ulët, si energjia diellore.

Dhe së fundmi, këto matje zakonisht nuk marrin parasysh faktin se në çfarë duhet të investojë shumë bota për të zgjeruar prodhimin e energjisë, qoftë të pastër apo me ndotje.

Kështu, shpenzimet kapitale, që do të jenë të nevojshme për të përmbushur synimin kryesor të përcaktuar nga Marrëveshja e Parisit (pra, për të mbajtur ngrohjen globale “nën nivelin 2°C”), nuk duhet të vështrohen si të izoluara, por të krahasohen me skenarët alternativë ku kërkesa në rritje për energji, plotësohet nga karburante më ndotëse.

Fatura për të ulur emetimet, ka të ngjarë të jetë më pak se 1 trilion dollarë në vit, që do të thotë më pak se 1% e PBB-së globale. Natyrisht, këto shifra nuk janë çikërrima, por as një ëndërr e parealizueshme.

Kjo mund të tingëllojë si optimiste, dhe ndoshta është sërish një shifër e fryrë, sepse korrigjon vetëm katër të meta në matje. Rritja më e ngadaltë ekonomike, teknologjia më e lirë dhe synime më modeste, do ta ulnin çmimin edhe më shumë.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), në vitin 2024, në energji janë investuar afërsisht 3 trilionë dollarë, ose 3% e PBB-së globale. Ky është një rekord.

Një rol kryesor luajtën investimet në naftë dhe gaz dhe investimet në prodhimin e energjisë së pastër, që janë rritur shumë duke filluar që nga viti 2010. Rreth tre të katërtat e investimeve erdhën nga burime private dhe një e katërta nga qeveritë.

Por përfituesit e këtyre investimeve kanë ndryshuar që nga Marrëveshja e Parisit. Në vitin 2015, po investohej më pak në teknologji të pastër, sesa në lëndë djegëse fosile.

Sot, në teknologjinë e pastër, investohet pothuajse dy herë më tepër. Këtë vit, në energjinë diellore janë investuar 500 miliardë dollarë, më shumë se në çdo burim tjetër energjie.

Këto shifra janë të mira për energjinë e pastër, sepse përfshijnë investime në automjete elektrike, pompa nxehtësie dhe përmirësime në rrjetet elektrike, që nuk i ulin aq shumë emetimet, por hapin rrugën për shkurtime të mëdha të emetimeve, me kusht që energjia elektrike e përdorur, të vijë nga burime që shfrytëzojnë pak karbon.

Për shembull, rritja e përdorimit të automjeteve elektrike në Kinë, ul kërkesën globale për naftë, por nuk ndikon shumë në uljen e emetimeve, sepse bateritë e automjeteve ngarkohen nga rrjeti i qymyrit të Kinës.

Sidoqoftë, perspektiva për klimën po rritet. Në vitin 2015, “Raporti i hendekut të emetimeve”, i paraqitur nga Programi i Mjedisit i OKB-së (UNEP), publikon përpara çdo samiti të nivelit të lartë të klimës, provat që parashikojnë se, duke ndjekur politikat në fuqi në të gjithë botën, temperaturat mesatare globale do të jenë pothuajse 5°C më të larta se ato para-industriale, deri në fund të shekullit. Në raportin e këtij viti, shifra u ul në pak më shumë se 3°C.

Parashikuesit e tjerë janë edhe më optimistë: Agjencia IEA llogarit se politikat e tanishme do ta ulin nivelin e ngrohjes në 2.4°C. Agjencia kërkimore Bloomberg New Energy Finance (BNEF), vlerëson se falë politikave të tanishme dhe rënies së çmimeve të teknologjive të gjelbra, temperaturat do të ngrohen me 2.6°C deri në vitin 2050. Shoqëria këshillimore Wood Mackenzie parashikon një ngrohje prej 2.5°C deri në vitin 2100.

Sidoqoftë, në asnjë nga këto parashikime, nuk mendohet se bota do të vazhdojë të ngrohet nën nivelin 2°C, siç kërkon Marrëveshja e Parisit, aq më pak nën 1.5°C, që ishte synimi shtesë që nënshkruesit thanë se do të përpiqeshin të përmbushnin.

Ka pikëpamje të ndryshme në lidhje me pyetjen se sa investime do të nevojiten për të përmbushur këto qëllime.

Natyrisht, synimi për të mbajtur nivelin e ngrohjes nën 1.5°C, është më i kushtueshëm sesa synimi për ta mbajtur nën 2°C. Zakonisht është kostoja e këtij që fundit, ajo që tërheq më shumë vëmendje dhe që përmendet më shpesh.

Kostot

Për të vlerësuar kostot, ekonomistët ndërthurin të dhënat ekonomike, me skenarin e arritjes së një qëllimi të caktuar.

Ky mund të jetë një qëllim që ka lidhje me temperaturën, ose mund të jetë një synim në lidhje me vëllimin global të emetimeve të karbonit në një kohë të caktuar.

Skenari i emetimeve neto zero nga agjencia IEA mbështetet në hamendësimin se deri nga mesi i shekullit, të gjitha gazrat serë që lëshohen në atmosferë, do të kompensohen, duke larguar të njëjtën sasi gazi nga atmosfera.

Zakonisht, synimi për emetime neto zero deri në vitin 2050, shihet si i barasvlefshëm me përmbushjen e synimit për ndaljen e ngrohjes globale deri në kufirin 1.5°C.

Sipas vlerësimeve nga agjencia IEA, për eliminimin e emetimeve neto deri në vitin 2050, do të nevojiten investime në energjinë e pastër, me vlerë rreth 5 trilionë dollarë në vit, deri në vitin 2030.

Kjo është më shumë se dyfishi i shifrës prej 2 trilionë dollarësh në vit që po investohet tani në energjinë e pastër dhe dy të tretat më shumë se vlerësimi i investimeve të përgjithshme në energji. Një skenar i ngjashëm nga agjencia BNEF, parashikon investime me vlerë 5.4 trilionë dollarë në vit këtë dekadë.

Agjencia kërkimore McKinsey Global Institute, parashikon se kostoja vjetore për të arritur emetime neto zero deri në vitin 2050, do të arrijë në 9.2 trilionë dollarë.

Sipas agjencisë Wood Mackenzie, kjo shifër do të jetë më pak se 3 trilionë dollarë. Agjencia UNEP vlerëson se do të nevojiten 7 trilionë deri në 12 trilionë dollarë në vit deri në vitin 2035, për të kufizuar ngrohjen e klimës deri në 1.5°C.

Çfarë nuk mund të blejë paraja

Ky ndryshim i madh midis parashikimeve është për shkak të metodave të ndryshme të përdorura. Sidoqoftë, zbatimi i çdo metode për skenarë pothuajse të pamundur, jep rezultate të dyshimta. Dhe kufizimi i ngrohjes së temperaturës deri në 1.5°C, në përgjithësi është një skenar i pamundur.

Buxheti Global i Karbonit, një grup shkencëtarësh, vlerëson se temperaturat do të arrijnë përgjithmonë atë nivel në gjashtë vjet, me shkallën e tanishme të emetimeve.

Për parandalimin e ndryshimeve të mëtejshme klimatike, do të duhej që të eliminoheshin të gjitha emetimet e gazrave serë brenda kësaj kohe, një detyrë që është tepër e shtrenjtë, apo edhe e pamundur.

Për fat të mirë, mbajtja e ngrohjes globale nën nivelin 2°C, është shumë më e arritshme. Buxheti Global i Karbonit vlerëson se do të duhen 27 vjet që bota të rrijë në këtë pikë të rritjes së temperaturës, me shkallën e tanishme të emetimeve. Nga ana tjetër, zgjatja e afatit lejon një tranzicion më të ngadaltë dhe më të lirë.

Megjithatë, shumë analiza vazhdojnë të përqendrohen në synime më të rrepta. Kjo është e natyrshme. Përfshirja e synimit për 1.5°C në Marrëveshjen e Parisit, u quajt një fitore e madhe nga vendet më të brishta dhe nga aktivistët e klimës.

Tre vjet më vonë, agjencia IPCC publikoi një raport ku thuhej se edhe një ngrohje e temperaturës së globit me 1.5°C, do të ishte shumë e dëmshme dhe se 2°C do të ishte katastrofike për shumë shtete dhe ekosisteme.

Shkalla dhe ashpërsia e dëmit, normalisht që rritet me temperaturën. Por në një kohë kur bota ende po përpiqet të vendosë se çfarë duhet të bëjë, nuk është me mend të tregosh se arritja e së pamundurës është jashtëzakonisht e shtrenjtë.

Një problem tjetër me parashikimet, janë hamendësimet e tyre për rritjen ekonomike. Matt Burgess dhe kolegët e tij nga Universiteti Uajoming, vërejnë se parashikimet e agjencisë IPCC kanë mbivlerësuar rritjen ekonomike, si në shtetet e pasura, ashtu edhe në ato të varfra.

Ata shpjegojnë se skenari më i keq për rritjen ekonomike që përdor IPCC-ja në parashikimin e saj, është në fakt skenari më i mirë. Ata e parashikojnë PBB-në për frymë duke u mbështetur në marrëdhënien historike midis nivelit të saj absolut dhe shkallës së rritjes ekonomike. Kjo jep parashikime shumë më të ulëta (shih grafikun 1).

Edhe hamendësimi i agjencisë IEA për një rritje mesatare vjetore globale prej 2.7% deri në vitin 2050, mund të jetë tepër optimist. Ai mbështetet në parashikimet e rritjes së popullsisë nga OKB-ja, të cilat kanë dështuar vazhdimisht në parashikimin e rënieve të nivelit të lindjeve në botën në zhvillim.

Më pak njerëz nënkupton më pak rritje ekonomike. Dhe një planet më “i moshuar” me më pak njerëz në moshë pune, ka të ngjarë të rritet më ngadalë ekonomikisht.

Ashtu siç zbutja e objektivit të temperaturës çon në ulje të mëdha të kostos, po ashtu rritja më e ngadaltë ekonomike, sjell rënien e kërkesës për energji.

Dhe ashtu si me mospërmbushjen e kriterit 1.5°C, kjo nuk është një gjë e mirë. Një botë me rritje më të ulët ekonomike nuk është aspak një gjë e mirë, sidomos për të varfrit. Nëse rritja do të përqendrohej në vendet më të varfra, kjo do të ishte një ndihmë për botën, edhe nëse do të nënkuptonte se do duhej të shpenzoheshin më shumë para për dekarbonizimin. Por është më mirë të jemi realistë për të pasur një tablo më të qartë.

Parashikime të gabuara

Gjithashtu, parashikuesit ekonomikë historikisht nuk i kanë parashikuar mirë përparimet teknologjike.

Ata e mbivlerësojnë përdorimin e disa teknologjive (si kapja dhe ruajtja e karbonit, ku dioksidi i karbonit thithet nga pirgjet e tymit të termocentraleve dhe fabrikave dhe futet në mënyrë të sigurt nëntokë) dhe nënvlerësojnë shumë kostot në rënie të teknologjive të tjera, si të paneleve diellore dhe baterive me litium.

Rupert Way dhe autorë të tjerë nga Universiteti Cambridge kanë modeluar një sistem energjie, ku kostoja e energjisë diellore, energjisë së erës, baterive të litiumit dhe elektrolizatorëve të hidrogjenit, bie sipas “ligjit të Wright”.

Ai mbështetet në parimin se për çdo dyfishim të prodhimit, bie me të njëjtën përqindje kostoja për njësi. Sipas këtij skenari, emetimet do të bien aq shpejt saqë mund të arrihet me kosto minimale edhe synimi për të ndalur ngrohjen globale me më shumë se 1,5°C.

Por në praktikë, ka gjithmonë pengesa në industritë me rritje të shpejtë, të cilat ngadalësojnë përhapjen e teknologjive të reja, pavarësisht rënies së kostove.

Për shembull, sado e lirë të jetë bërë energjia diellore, lidhja e rrjetit për të mbetet një proces i ngadaltë në shumë shtete. Në të njëjtën mënyrë, ka më pak se dy duzina anijesh jashtë Kinës që janë të afta të montojnë një fermë me erë në det të hapur. Të gjitha ato janë rezervuar për vite në vijim.

Parashikuesit përpiqen t’i pasqyrojnë pengesa të tilla, duke kufizuar me hamendje kohën se sa shpejt mund të bjerë kostoja e teknologjive të reja.

Por zakonisht tregohen të rreptë në këto kufizime, veçanërisht për energjinë e ripërtëritshme. Parashikimet e agjencisë IEA për aftësinë e gjenerimit të burimeve të ripërtëritshme kanë rënë vazhdimisht gjatë dekadës së fundit (shih grafikun 2).

Një faktor tjetër që fryn koston e dekarbonizimit, është shpërfillja e skenarëve sipas të cilëve dekarbonizimi nuk ndodh. Wood Mackenzie ka shpikur një skenar “të tranzicionit të vonuar”, sipas të cilit, për shkak të tensioneve tregtare dhe grindjeve gjeopolitike, vendet do të ndalin kalimin drejt një sistemi energjie pa karbon.

Kjo do të çonte në rritje të temperaturave me 3°C. Por edhe sipas këtij skenari, gjithsesi do të nevojiteshin investime me vlerë 52 trilionë dollarë në sistemin energjetik, deri në vitin 2050. Ndërsa kostoja për kufizimin e ngrohjes deri në 2°C, vlerësohet në rreth 65 trilionë dollarë.

Me pak fjalë, kostoja e investimit në energji duke mos bërë pothuajse asgjë për ngrohjen globale, nuk është shumë më e ulët se kostoja e kufizimit të ngrohjes globale me 2°C.

Sepse shuma prej 13 trilionë dollarësh shtesë që do të nevojitej gjatë 25 viteve, është afërsisht e barasvlefshme me 0.5% të PBB-së së globit në vit, dhe do të zvogëlohej edhe më shumë me rritjen e ekonomisë botërore. Përfundimi përputhet me një punim që botoi shkencëtari i klimës David McCollum, në vitin 2018.

Ai vlerësonte se kostoja shtesë e dekarbonizimit të sistemit të energjisë për të përmbushur synimin për 2°C, ishte rreth 320 miliardë dollarë në vit, afërsisht e barabartë me 400 miliardë dollarë sot.

Edhe vlerësimi nga agjencia UNEP për një kosto vjetore prej 7 trilionë deri në 12 trilion dollarë për të përmbushur synimin klimatik për 1.5°C, shkon midis 900 miliardë dhe 2.1 trilionë dollarësh, duke përjashtuar investimet që do të ndodhnin gjithsesi. Shifra do të ulej edhe më shumë nëse do të zbuteshin parashikimet për rritjen ekonomike në të ardhmen.

Ka një kleçkë: koha e investimeve të nevojshme nuk është e njëjtë në një botë me karbon të ulët dhe në një botë që përdor energji ndotëse. Skenarët zakonisht hamendësojnë se investimi do të shpërndahet në mënyrë të barabartë gjatë periudhës në shqyrtim. Për skenarin e ngrohjes me 2°C, nevojiten më shumë investime në energjinë e pastër në një periudhë të hershme.

Komisioni i Tranzicionit të Energjisë, llogarit se investimet e përgjithshme të energjisë së pastër do të katërfishohen nga rreth 1 trilion dollarë në vitin 2020, në 4 trilionë dollarë në vitin 2040 dhe më pas do të bien përsëri. Investimet në lëndët djegëse fosile do të bien në një mënyrë të ngjashme, duke ulur koston neto dhe duke çuar në kursime operacionale, falë uljes së kërkesës për lëndë djegëse fosile.

Ulja e emetimeve

Edhe nëse synimi për të kufizuar ngrohjen e temperaturës me 1.5°C nuk është i arritshëm, modelet tregojnë se po të shpenzohet më shumë tani, Toka mund të jetë në drejtimin e duhur për të kufizuar ngrohjen globale deri në 1.8°C ose më pak. Ulja e ngrohjes së përgjithshme me disa të dhjetat e një shkalle, mund të japë shpërblime të mëdha, sepse bota do të pësonte më pak dëme nga ngrohja globale.

Ka tre probleme që mund të prishin planet. I pari është se, megjithëse dekarbonizimi i energjisë në sektorët e prodhimit dhe transportit është elementi më i rëndësishëm në zbutjen e ndryshimeve klimatike, ai nuk është i vetmi.

Është edhe bujqësia një burim i madh i gazrave serë, e cila përveç dioksidit të karbonit, lëshon gazra ndotës si metani dhe oksidi i azotit. Teknologjitë që mund të ndihmojnë me uljen e këtyre emetimeve, janë shumë më pak të përdoruara. Prandaj është shumë më e vështirë të bësh një parashikim të sigurt për koston e ardhshme të frenimit të këtyre emetimeve.

Një problem tjetër është dëshira për të ndërmarrë këtë ndryshim. Njerëzit që do të vuajnë më shumë nga ngrohja globale, nuk janë ata që kanë mundësitë financiare për të paguar për frenimin e kësaj dukurie. Shtetet më të varfra kanë nevojë për më shumë investime, por nuk mund t’i përballojnë ato financiarisht.

Kjo përkeqësohet nga kostoja e kapitalit. Shumica e skenarëve klimatikë hamendësojnë se ka një kosto kapitali për të gjithë ekonominë globale. Por shtetet më të varfra dhe më të rrezikuara, përballen me kosto më të larta kapitali sesa ato më të pasura.

Nisma e Politikave Klimatike llogarit se investitorët në një fermë diellore në Gjermani, kanë nevojë për një kthim fitimi prej 7% të kapitalit të investuar për të pasur baraspeshim, duke marrë parasysh kostot e huamarrjes. Në Zambia, nevojitet një kthim prej 38%. Nëse kostot e financimit në botën në zhvillim nuk mund të ulen, çmimi për dekarbonizimin do të rritet.

Paralajmërimi tjetër është se modelet e parashikimit, nga natyra e tyre, priren drejt racionalitetit. Politika është më pak e parashikueshme. Gjëra që mendohet se duhet të jenë të përballueshme, në praktikë shpesh bëhen më të ndërlikuara për shkak të paaftësisë, kufizimeve politike dhe ryshfetit.

Shumica e modeleve parashikuese mbështeten në hamendësimin se shoqëria do të përpiqet të përfundojë tranzicionin e energjisë në një mënyrë sa më të lirë të jetë e mundur.

Kjo nuk është e sigurt se do të ndodhë. Shumë qeveri mendojnë se duhen përjashtuar disa teknika të dobishme për të ulur koston, si taksat e karbonit, dhe në vend të kësaj dëshirojnë metoda të shtrenjta të panevojshme, si subvencionimi i prodhimit të teknologjive për uljen e emetimeve të karbonit, me qëllim që të ndihmojnë në rritjen e bazës industriale të vendit.

Shpesh ka shtysa politike për të qetësuar lobet e minierave ose rajonet e pasura me lëndë djegëse fosile, ose për të mbrojtur prodhuesit që nuk janë në gjendje të konkurrojnë me prodhuesit e huaj më të lirë të baterive, automjeteve elektrike ose paneleve diellore.

Ndonjëherë ka diskutime se si duhet të shpenzohen të gjitha paratë që politikanët lënë mënjanë për klimën. Këto janë bisedime të vështira të ngjashme me “dilemën e të burgosurve”. Sa më pak të shpenzojë bota në tërësi për dekarbonizimin, aq më arsye ka çdo vend që të shpenzojë një pjesë më të madhe të buxhetit të klimës për përshtatjen, jo për zbutjen e ngrohjes klimatike.

Sidoqoftë, sado të rëndësishme të jenë këto pengesa, ato nuk e ndryshojnë faktin se është fryrë kostoja e tranzicionit nga karburantet fosile. Dhe kjo nuk është rastësi: skeptikët e ngrohjes së klimës dhe aktivistët e klimës kanë arsye të flasin për shpenzimet. Skeptikët mund të përdorin numra alarmues si arsye për të mos u shqetësuar; ndërsa aktivistët mund të përdorin shifra të tjera për të kërkuar më shumë shpenzime.

Në fakt, ndryshimi i klimës nuk është as fundi i botës dhe as një mashtrim i shtrenjtë. Është një problem i njëmendtë dhe i vështirë, por që mund të frenohet në mënyrë të përballueshme./ Monitor