BERAT, 25 mars 2013 – “Të bëhesh e imja ndryshe të thera me thikë në fyt”. Ky ka qenë kërcënimi që ka marrë një vajzë 18 vjeçare, e cila pretendon se është mbajtur me forcë për 5 orë me rradhë në makinën e një 24 vjeçari. Siç raporton News 24, 18-vjeçarja ka deklaruar para forcave të rëndit se është kërcënuar me jetë nga 24 vjeçari Kanaçi. 

“Më kërcënoi me jetë, nëse nuk bëhesha e dashura e tij, do të më vriste”, u shpreh vajza 18-vjeçare E. Xherimeja në polici. Ajo rrëfen se i riu e ka marrë më forcë në makinë dhe ka shpëtuar vetëm në momentin që ka parë një makinë policie që patrullonte në rrugë, nga të cilët kërkoi ndihmë. 

Por kundrejt deklaratës së vajzës, vjen pretendimi i të riut, Kanaçi. “Cfarë rrëmbimi, ajo është e dashura ime, nuk e ka marrë njeri me forcë. Nuk është hera e parë që ajo vjen në makinën time”,- tha 24-vjeçari në polici. 

Policia ka arrestuar ndërkaq 24-vjeçarin dhe ka nisur hetimin për qartësimin e rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.