Jeni të interesuar t’i bashkoheni ekipit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme? Nëse po, tani e keni mundësinë, pasi ministria e drejtuar nga Ferit Hoxha ka shpallur këtë të shtunë, më 25 prill, dy thirrje të rëndësishme për profesionistët që synojnë të kontribuojnë në forcimin e diplomacisë shqiptare dhe avancimin e procesit të integrimit në Bashkimi Evropian.
“Bëhu pjesë e ekipit që çon Shqipërinë drejt BE-së!”, është thirrja me të cilën nis ky njoftim, që vjen në kuadër të përpjekjeve për të rritur kapacitetet institucionale dhe për të përshpejtuar rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në BE, duke ofruar mundësi konkrete për angazhim në struktura kyçe të politikës së jashtme.
Një nga thirrjet lidhet me aplikimet për të shërbyer në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel, në kuadër të nismës “Shqipëria BE 2030”. Ky program synon të përfshijë profesionistë të kualifikuar në përfaqësimin e interesave të vendit në institucionet evropiane dhe në proceset negociuese. Për më shumë informacione mbi këtë pozicion, mbi kriteret që duhet të plotësoni dhe dokumentet që duhet të dorëzoni, lexoni këtu.
Paralelisht, ministria ka hapur edhe thirrjen për t’iu bashkuar Rezervës së Strukturuar të Talenteve, një iniciativë që synon të krijojë një bazë ekspertësh të përgatitur për të kontribuar në shërbimin e jashtëm shqiptar. Për më shumë mbi pozicionin e dytë, lexoni këtu.
“Ky është momenti yt për të dhënë kontribut real në përfaqësimin e Shqipërisë dhe në të ardhmen europiane të vendit.”, thuhet në njoftimin e ministrisë, e cila fton të gjithë profesionistët e interesuar të aplikojnë.





