Kontinenti europian do të përballet me acar arktik.
Britania tashmë është goditur nga Caroline, stuhia e acarit nga Arktiku, e cila po shoqërohet me erëra të fuqishme, reshje të borës dhe temperatura të ulëta dhe si duket, ajo do të përhapet edhe në pjesët e tjera të Evropës. Kjo do të jetë stuhia e dytë që do ta kaplojë Britaninë.
Erërat me shpejtësi 140 kilometra në orë kanë sjellë një periudhë dhjetëditore të acarit dhe borës, ndërsa temperaturat në ishull kanë rënë në minus 12 gradë Celsius.
Pritet që stuhia do të lëvizë më tutje drejt lindjes dhe të kaplojë Francën. Siç raportuan mediat britanike, meteorologët ende nuk janë të sigurt se nga cili kah do të lëvizë stuhia më tutje, por shumica prej tyre janë të mendimit se do të lëvizë drejt jugut dhe lindjes, pra drejt Evropës.
Në anën tjetër, autoritetet në Spanjë dhe Portugali kanë tërhequr sot vërejtjen nga erërat e fuqishme dhe reshjet e rrëmbyeshme, të cilat do të shoqërojnë stuhinë, e cila Gadishullit të Pirinejeve po i afrohet nga Atlantiku. Sipas autoriteteve spanjolle, rreziku më i madh që do të sjellë me vete stuhia Ana janë erërat e fuqishme, të cilat mund të arrijnë shpejtësi deri në 120 kilometra në orë.