Nga BUJAR QESJA

Një ditë pranverore, në këtë 10 nëntor të vitit 2021. Në “rezidencën” time të mikpritjes, jam duke bërë adetet e përditshme. Është një rutinë që më gëzon, më mban gjallë. Kafeja e mëngjesit, pasi i kam hedhur një sy shtypit të ditës, më josh dhe provokon një nisje entuziaste të punës. E di fort mirë që më pas do të më vijnë shokë, miq, të afërm dhe për të ndarë kënaqësitë e bisedave, që nxisin edhe optimizëm. E harrojmë plotësisht kovidin. I lëmë menjëanë fatalitetet dhe panikun që ka pllakosur, ndër ne dhe jetojmë me mundësitë tona, një kohë që na pëlqen dhe na mban gjallë.

Befas nga siparfaqja e celularit pasi bie zilja, lexoj emrin e kolegut nga miqtë më aktivë Defrim Methasani.

-Jemi nisur nga Tirana drejt teje. Ti e di, që po bëjmë një profil televiziv për Bejkush Birçen. Na prit tek vëndi yt aq i preferuar edhe për ne miqtë e t’u që vijmë nga Tirana. Duam edhe mendimin tënd, që të përfshihen në punën tonë. Edhe operatori Agron Hoti, mezi po pret që të takohemi.

Kisha kaluar këto ditë nëpër duar mjaft foto, shumica nga futbolli. Me traktorin e pasionit lëroj kujtesën, për t’i dhënë mundësi vetes, të mbaj të gjallë punën e përditshme. Më tërhoqi vëmëndjen një foto me trajnerin e njohur Bejkush Birçe, kur drejtonte “Teutën” e Durrësit. Mbrapa fotos kisha bërë këtë shënim: 16 janar 1999, ndeshja “Teuta” – “Dinamo”. 

E dija ku e kisha lënë dhe përgatis situatën për t’i bërë surprizë miqve të mi, por veçanërisht Bejkush Birçes. E kisha takuar për herë të fundit, kur luajti përfaqësuesja e Francës me kombëtaren shqiptare, në “Air Albania” në ditën e përurimit me 17 nëntor 2019.

E prita mikun e rrallë jo pak me emocione. Ai zbriti lirisht nga makina dhe u takuam me shumë mall. Gjithnjë e kam parë si triumfator këtë emër të madh të sportit, lindur në Bolenë me 13 dhjetor të vitit 1936. Dhe për disa javë ky gjeneral i fortë i futbollit, mbush 85 vjeç. Kjo është edhe arsyeja pse miqtë e mi Methasani dhe Hoti, po nxitojnë drejt finalizimit të një pune të lodhshme dhe pasionante.

Në selinë time kanë ardhur shumë “gjeneralë”, të artit, kulturës, sporteve, të biznesit, modestët e ëmbël të shoqërisë, të varfër dhe të pasur, të bardhë dhe të zeshkët, të humorit dhe seriozë, nga jashtë dhe brenda vëndit, por ky Bejkush Birçe kam të drejtë ta konsideroj si shef shtabi i të gjithë këtyre.

Jo pa qëllim në shkrim, e kam konsideruar dora e hekurt. Ai ishte një ushtarak mbi ushtarakët, kur bie fjala për burrëri, për karakter, për idealizëm të profesionit, të sakrificës ndaj çdo fenomeni të çfaqur. Nuk kam ndërmënd të bëj biografinë e këtij njeriu, të pakonkurueshëm në bindje dhe në mbrojtje të patolerueshme të parimeve të zhvillimit. Ai është ndeshur me nomenklaturën e kuqe, me kastën e fuqishme të gjeneralëve që drejtonin “Partizanit”duke mbrojtur punën e tij, por edhe duke u dalë zot futbollistëve dhe kolegëve të punës. Janë me dhjetra e dhjetra raste që e vërtetojnë këtë.

Bejkush Birçe ka drejtuar në vite “Partizanin”, “Lokomotivën”, “Flamurtarin”, “Dinamon”, “Naftëtarin”, “Teutën” dhe ekipin përfaqësues. Ka drejtuar me dorë  të fortë, ku në të gjitha rastet ka thyer rrethimin e hekurt që i është bërë. Dhe për mua dhe ma do mëndja dhe më gjerë, ai është kthyer në hero të pankinave, ku ka spastruar dembelët dhe të moshuarit nga ekipet, ka vendosur disiplinë më shumë se të çeliktë, duke i qendruar besnik dhe i palëkundur bindjeve dhe normave progresiste të zhvillimit të futbollit.

Në Durrës ai ka ardhur dy herë: drejtoi “Lokomotivën” në fillim të viteve 80-të dhe “Teutën” në fundin e viteve 90-të. Veçanërisht në rastin e parë, theu mitin e pathyeshmërisë së disa titullarëve kryelartë dhe që bënin ligjin në ekip. U hapi portën e perspektivës futbollistëve të rinj. Ndërtoi kopshtet e bukura të futbollit, ku me kosën e pastrimit hoqi barërat e këqia, duke i dhënë hov përparimit dhe ndezur entuziazëm tek pasionantët e futbollit.

Pasi u ul dhe e pyeta për shëndetin, i bëra këtë surprizë. I tregova foton e 16 janarit 1999, kur po e intervistoja para fillimit të ndeshjes “Teuta” –“Dinamo”. Kujtimet iu ngjallën dhe shprehu respekt, mall për Durrësin dhe durrsakët, duke e pritur si shpresë dhe si shpëtim. Më pyeti për shëndetin e Lad Ajazit dhe kishte dëshirë ta takonte. E informova për gjëndjen e vështirë, që po kalon portjeri i njohur i “Lokomotivës”. Foton ia riprodhuam dhe ja lamë si kujtim. 

Profesionisti tashmë i regjur i ekranit Methasani, më kërkoi dy fjalë për trajnerin e pathyeshëm Bejkush Birçe. Ndër të tjera çfaqa edhe këtë formulim:

Bejkush Birçe me Durrësin, ngjasoi me një kapiten të sprovuar, teksa e drejtoi anijen e futbollit durrsak me kurajo dhe guxim, duke e shpëtuar nga mbytja dhe duke i riparuar me mjeshtri, të gjitha defektet e çfaqura në mes të detit. Ai e nuhati mirë se ku futej ujë në këtë anije dhe punoi për bllokimin e tyre. Birçe e veshi “Lokomotivën” dhe “Teutën” me kostumin e një zonje të nderuar të futbollit, pasojat e punës të të cilit nuk kanë për t’u zbehur kurrë.

Telefonata dhe komunikimi me mjeshtrin Fatos Muço, ishte tjetër pikante i takimit të 10 nëntorit të vitit 2021, në vendin e punës të një gazetari, që punoi dhe punon për çdo ditë për qytetin e dashur, atë të lindjes – Durrësin.

Dhe Muço më tha:

-Ta kesh për nder Bujar, që sot të ka vizituar një hero i futbollit, një qendrestar i sporteve, një njeri i madh që quhet Bejkush Birçe.

U ndamë siç e prita në mes emocionesh, duke u mbushur me një gëzim të veçantë. Defrimi na fiksoi një foto me 85 vjeçarin Bejkush Birçe, foto të cilin po e publikoj. Po e publikoj edhe foton e 16 janarit 1999, duke i transmetuar këtij njeriu të famshëm, mirënjohjen e punës së pastër dhe të pashuar që bëri në Durrës.

Jetë të gjatë profesor! Gjithnjë mbarësi njeriu i veçantë, njeriu i mirë dhe korrekt, njeriu mburrës i joni Bejkush Birçe.

Durrës: 10 nëntor 2021 

Foto e parë

16 janar 1999. Duke e intervisutar Bejkush Birçen në stadiumin “Niko Dovana”, në ndeshjen “Teuta” – “Dinamo”.

Foto e dytë

10 nëntor 2021. Duke biseduar me Bejkush Birçen për dokumentarin që po përgatit Televizioni Shqiptar, me skenar të Defrim Methasanin dhe operator Agron Hoti.