Futbollisti ka nënshkruar kontratë pesëmujore me klubin Paris St German dhe ka zbuluar që tërë rrogën do ta dhurojë në fondacionin parisien për fëmijë. Flitet që bëhet fjalë për tre milionë funte.

Dikur futbollisti më i shtrenjtë i botës i cili sipas vlerësimeve nga viti 2007 deri në fund të vitit 2012 ka fituar rreth 255 milionë dollarë, ka nënshkruar kontratë pesëmujore me klubin francez Paris Saint Germain dhe ka vendosur që tërë rrogën ta dhurojë për qëllime humanitare.

Sipas medieve britanike, David Beckham (37) do të dhurojë rreth tre milionë funte, nëse janë të sakta raportimet për rrogën e tij javore prej 150.000 funtesh.

“Një nga arsyet pse kam dashur të shkoj në Paris është shumë e thjeshtë. Kemi vendosur që rroga ime t’i shkojë organizatës lokale për fëmijët në Paris dhe kjo është një nga gjërat për të cilat jemi shumë të gëzuar dhe krenarë. Nuk jam i sigurt nëse dikush e ka bërë këtë deri tani. Jam i lumtur që kemi mundësinë të japim një shumë të madhe parash organizatës së fëmijëve në Paris”, – ka thënë futbollisti.

Ai ka shtuar që bashkëshortja Victoria dhe katër fëmijët nuk do t’i bashkohen gjatë qëndrimit pesëmujor në Francë, sepse fëmijët shkojnë në shkollë në Londër.

“Jam i gëzuar, kjo është diçka për çka kemi biseduar tashmë një kohë të gjatë dhe tani më në fund ka ndodhur”, –ka përfunduar futbollisti dhe ka shtuar që duhet të punojë në frëngjishten e vet, sepse që nga ditët shkollore nuk ka pasur nevojë për të.

Gruaja e tij, Victoria, ka zbuluar se si është e lumtur për shkak të gjestit zemërgjerë të bashkëshortit të vet.

“Fëmijët dhe unë jemi shumë krenarë dhe e mbështesim Davidin dhe jemi të gëzuar që do të kalojmë pak kohë edhe në Paris”, ka deklaruar Victoria.