8 janar 2015 – Viti i ri 2015 ka nisur me lëvizje të rëndësishme në merkato për futbollistët e kombëtares shqiptare. Pas Andi Lilës dhe Ermir Lenjanit është Bekim Balaj, emri i 3-të i rëndësishëm i kuqezinjve që transferohet në tregun e shitblerjeve të futbollistëve. Sulmuesi shkodran do të jetë një lojtar i HNK Rijekës nga tani e mbrapa. Futbollisti, që në 2014 shënoi golin e fitores në Portugali, i jep kështu fund aventurës së tij në Ceki me ekipin e Slavia Prague për t’u transferuar tashmë në kampionatin kroat. Balaj bashkë me menaxherin e tij, të licencuar dhe nga Fifa, Shkumbin Cormemeti gjenden në Kroaci për të finalizuar marrëveshjen.
Futbollisti pritet t’i nënshtrohet këtë të enjte vizitave mjekësore dhe pas tyre do të zyrtarizohet dhe arritja e marrëveshjes. Lajmin e bëri të ditur pikërisht menaxheri Cormemeti. Për Balajn kjo mund të konsiderohet një lëvizje e rëndësishme në karrierë pasi HNK Rijeka, sezonin e kaluar u rendit e dyta në kampionatin kroat, pozicion që mban dhe aktualisht në renditje duke qenë rivali kryesor i Dinamos së Zagrebit në garën për titull. HNK Rijeka konsiderohet si një prej klubeve më të pasura në futbollin kroat dhe Balaj pritet të jetë zgjedhje e parë e trajnerit slloven Matjaz Kek, që tre vite më parë u përfol dhe për një ulje të mundshme në stolin e kombëtares shqiptare. Në Kroaci luan gjithashtu dhe sulmuesi tjetër i përfaqësueses Sokol Cikalleshi, i cili në fakt është përfolur për një kalim të mundshëm në Itali, në radhët e Sampdorias. Një transferim që u konfirmua dhe nga vetë Balaj në një intervistë:
"Rijeka është skuadra ku unë do të luaj nga tani e mbrapa. Një skuadër e rëndësishme në kampionatin kroat, që mban dhe vendin e dytë në renditje. Luan një futboll shumë sulmues dhe kjo është një ndihmesë për mua. Shpresoj që ky klub të më japë mundësinë të evidentohem akoma më shumë dhe të jetë një shtysë për karrierën time, duke qenë se luan rregullisht dhe në Europë. Në këtë kampionat luan gjithashtu dhe Cikalleshi që është një mik shumë i afërt i imi dhe besoj se me të do të bisedojë në ditët në vazhdim, përpara se të sfidohemi në fushën e lojës".
Ndërkohë menaxheri i futbollistit, Shkumbin Cormemeti zbuloi dhe disa detaje të marrëveshjes së sulmuesit me klubin kroat.
"Na u ofrua një kontratë për dy vjet e gjysmë dhe arritja e marrëveshjes ishte shumë e thjeshtë, pasi të dyja palët dëshironin njëri-tjetrin, pastaj kur ke një futbollist si Balaj gjërat bëhen më të thjeshta. Balaj do të zëvendësoj te Rijeka, Andrej Kamaric që u transferua në Angli te Leicecter".
Ditët e fundit kanë qenë shumë aktive për lojtarët kuqezi në merkato, me Lenjanin që firmosi për Rennes, Lilën që u transferua te Parma dhe së fundmi Balaj që arriti një marrëveshje me Rijekën. Për Cormemetin, që është gjithashtu dhe menaxheri i futbollistit të U-21 Enis Gavazaj, transferimi i lojtarëve të kombëtares shqiptare, si pasojë e rezultateve të arritura dhe nga përfaqësuesja jonë, është bërë shumë më i thjeshtë.
"Shqipëria ka patur një rritje të konsiderueshme vitet e fundit në futboll. Trajnderi De Biasi ka bërë një punë shumë të mirë, dhe rezultatet e arritura prej saj po shërbejnë si vitrinë dhe për futbollistët kuqezi. Kjo e bën më të thjeshtë dhe punën e menaxherëve sa i përket transferimit të tyre".
Balaj pasi të hedhë firmën në kontratë pritet t’i bashkohet skuadrës në stërvitje. Kampionati kroat pritet të rinisë sërish me datë 7 shkurt dhe ndeshja e parë për HNK Rijekën do të jetë në shtëpi me Hajdukun e Splitit.





