23 shkurt 2015 – Bekim Balaj shënon sërish në kampionatin kroat. I dyti gol radhazi për sulmuesin e kuqezinjve, që ishte protagonisti absolut në përballjen me RNK Split, ku luan gjithashtu dhe sulmuesi tjetër i kombëtares, Sokol Çikalleshi.
Në transfertën e Splitit, Balaj, i cili u afrua për të zëvendësuar Kramaric që kaloi te Leicecter në Premier Ligë ishte lojtari më i spikatur i ndeshjes, për dy episode. Në të 26-tën, për 11-metërshin e gabuar, që i kushtoi dhe golin e disavantazhit të tijve një minutë më pas, dhe në të 57-tën, për një goditje të saktë me kokë, që i dha barazimin Rijekës.
Në fakt, skuadra e Balajt nuk përfitoi nga hapi fals i Dinamos së Zagrebit për të shkurtuar diferencën me kreun dhe goli i barazimit të Balajt, i dha vetëm një pikë ekipit të tij, që në fund barazoin 1-1 me Splitin e Çikalleshit, me këtë të fundit që u aktivizua për 90 minuta të plota.





