Besimtarët myslimanë bektashinj kremtojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu, e cilësuar në botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe e ringjalljes së madhe.

Dita e Nevruzit apo e quajtur ndryshe edhe dita e Sulltan Nevruzit është një festë zyrtare fetare e festuar në Shqipëri më 22 mars të çdo viti. Festa e Sulltan Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Në këtë ditë çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

“Nevruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite. Festa e Sulltan Nevruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Diktatura komuniste në Shqipëri, e prië drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian.

Në Shqipëri, Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Dita e Nevruzit festohet edhe ne vende te tjera të botës myslimane, në ditë që variojnë nga 20 deri më 26 mars si Kosovë, Irak, Iran, Afganistan, Azerbaixhan, Gjeorgji, Kazakistan, Uzbekistan, Urmeni etj.