Qarku i Durrësit synon të bëhet lider në planifikimin urban
Në vitin 2012 prioritet infrastruktura dhe projektet me BE-në
Ligji i ri i urbanistikës do të bllokojë për dy vjet të ardhurat nga lejet e ndërtimit. Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Dyrrah” kryetarja e Këshillit të Qarkut të Durrësit, Eglentina Bekteshi. Në intervistën e saj, Bekteshi ka komentuar dhe çështje që kanë të bëjnë me investimet, projektet e përbashkëta me BE si dhe synimin e institucionit që ajo drejton për t’u bërë lider në hartimin e instrumentave të planifikimit në fushën e Urbanistikës
Cilat kanë qenë investimet e Këshillit të Qarkut për këtë vit, ku kanë konsistuar ato dhe a kanë qenë të mjaftueshme fondet për kërkesat që ka Qarku?
Një prej investimeve të mëdha që ka kryer Këshilli i Qarkut ka qënë rikonstruksioni i godinës dhe shtesa e katit. Investimi arriti vlerën 40 milion lekë. Punimet filluan në verën e vitit 2010 dhe përfunduan në pranverë të vitit 2011. Për pajisjen me sistem fonie të sallës së re të mbledhjeve në KQ u investua shuma prej 10 milion lekë. Ndryshe nga viti 2011, ku të ardhurat nga lejet e ndërtimit arritën vlerën prej 68 milion lekë, për vitin 2012 nuk mund të pretendojmë për të ardhura të tilla. Arsyeja është se ligji i ri i planifikimit të territorit ndikon në kufizimin e investimeve deri në miratimin e planeve të reja të zhvillimit të territorit në komuna dhe bashki.Mendoj që në se do të kishim të ardhura sipas grafikut të viteve të kaluara, do të ishte mjaftushëm, por në këto kushte nuk është i mjaftueshëm dhe sigurisht do ketë efekte në investime. Nëse krahasojmë grantet e qeverisë kuptohet që vëmendja është e përqëndruar edhe në Qarkun e Durrësit, por nëse granti do ishte më i lartë do ishim akoma më mirë. Për vitin 2011, granti i qeverisë ka qënë 55.8 milion lekë, ndërsa për vitin 2012 është 58.7 milion lëkë. Në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje të lehtë, por duhet theksuar se ligji i ri i urbanistikës për një periudhë kohe afro dy vjeçare, nuk do të sjellë të ardhura në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga lejet e ndërtimit. Megjithatë të ardhurat kryesore në Këshillin e Qarkut Durrës janë kryesisht nga lejet e shfrytëzimit, të ardhura nga Urbanistika, tarifat nga shërbimet e arkivës në nivel Qarku etj.
Cilat janë investimet perspektive për vitin e ardhshëm (2012) në shkallë qarku?
Drejtoria e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit në Këshillin e Qarkut Durrës, duke u bazuar në ligjin e ri të Planifikimit të Territorit, parashikon që të bëhet lider në hartimin e instrumentave të planifikimit në fushën e Urbanistikës. Duke qenë se ligji i jep të drejtë Këshillit të Qarkut që të koordinojë planet e zhvillimit ne nivel qarku mendojmë që hartimi i tyre do t’i hapë rrugën investimeve në ndërtim. Për këtë qëllim po bashkëpunojmë me institucione të tjera donatore për sigurimin e fondeve përkatëse. Këshilli i Qarkut mbulon me mirëmbajtje rrugët rurale të shtrira në të gjithë territorin e tij. Përveç mirëmbajtjes, pretendojmë që me fondet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit (në kuadër të bashkëpunimit dhe të prioriteteve që FSHZH-ve ndërmerr) të mund të rehabilitojmë një apo dy rrugë prioritare, në të cilat është e domosdoshme të ndërhyhet. Bëhet fjalë për rrugën në Katundin e Ri (komunë) deri në kryqëzimin e fshatit Rinia, me gjatësi 7 km (fondi i parashikuar, 224 milion lekë), e cila mund të jetë një ndër prioritetet e FSHZH-së për vitin e ardhshëm. Po ashtu mendohet të rikonstruktohet rruga Kthesa e Ariut-Perlat-Hamallaj me gjatësi 8.2 km. Kjo rrugë do t’i japë mundësi zhvillimi zonës nga pikpamja turistike (fondi i parashikuar, 228 milion lekë). Dua të theksoj këtu rolin bashkëpunues të FSHZH-së dhe vëmendjen e treguar ndaj qarkut të Durrësit ndër vite.
Si ka qënë bashkëpunimi me njësitë vendore në përgjithësi dhe bashkinë e Durrësit në veçanti?
Bashkëpunimi me bashkitë dhe komunat në përgjithësi dhe me bashkinë e Durrësit në veçanti ka qenë korrekt dhe bashkëpunues në tërësi. Këshilli i Qarkut Durrës ka një komunikim të vazhdueshëm me njësitë vendore edhe me bashkinë Durrës në lidhje me tematika të ndryshme që kanë të bëjnë me punën në përgjithësi. Bashkëpunimi është institucional me të gjitha komunat dhe bashkitë ashtu siç është institucional edhe me Bashkinë e Durrësit. Natyrisht kemi komunikim të vazhdueshëm me komunat, bashkitë e sigurisht edhe me bashkinë e Durrësit.
Si paraqitet situata përsa i përket projekteve me BE-në?
Gjatë vitit 2011, i është kushtuar rëndësi implementimit të projektit “Delmvet – Zhvillimi i një Modeli Efikas të Menaxhuar në nivel Lokal” të AFP, i fituar nga Këshilli i Qarkut Durrës në kuadër të Programit IPA Cross Border si dhe projektit “Star”, qëllimi kryesor i të cilitështë të integrojë rrjetin aktual të komunikimit dhe informimit mbi turizmin me zhvillimet e reja të teknologjisë së informacionit, të zhvilluara nëpërmjet një mënyre të përbashkët metodologjike për të gjitha vendet e zonës së Adriatikut . Në kuadër të programit “IPA Adriatic Cross Border 2007-2013”, Këshilli i Qarkut Durrës në bashkëpunim me autoritetet qëndrore dhe lokale të vendeve të rajonit pikërisht Itali, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi fitoi të drejtën e implementimit të projektit “Delmvet – Zhvillimi i një modeli menaxhimi efiçent lokal të arsimit profesional”, duke u fokusuar në arsimin profesional post/sekondar. Projekti ka pasur si qëllim të promovojë zhvillimin ekonomik, nëpërmjet reformimit të këtij sistemi AFP (bazuar në nevojat e tregut të punës dhe në praktikat më të mira të rrjetit në rajonin e Adriatikut duke prezantuar një model pilot të sistemit të arsimit profesional post sekondar për rajonin e Durrësit, i cili mund të shpërndahet më vonë në të gjithë Shqipërinë, si një inisiativë inovatore. Buxheti total i projektit është rreth 1.3 milion euro euro, nga të cilat 711.100 euro i përkasin K.Q.Durrës. Objektivi i përgjithshëm i kësaj inisiative ka qenë fuqizimi i zhvillimit të aftësive të qëndrueshme ekonomike dhe sociale të Qarkut përmes një strategjie të përbashket veprimi ndërmjet partnerëve, nëpërmjet reformimit të sistemit AFP (bazuar në nevojat e tregut të punës dhe në praktikat më të mira të rrjetit në rajonin Adriatik) duke prezantuar një model pilot të sistemit të arsimit profesional post sekondar për rajonin e Durrësit.
Cilat kanë qenë prioritetet konkrete të këtyre projekteve?
Ndër prioritet kryesore të këtyre projekteve ka qenë vendosja e një Network-u të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) të qëndrueshëm dhe aktiv, si një forum i shkëmbimit të eksperiencës dhe praktikës së mirë; harmonizimi i sistemit të arsimit dhe formimit profesional në mënyrë që t’i përgjigjet sa më mirë nevojave të tregut lokal të punës; vendosja e një modeli pilot AFP post sekondar të integruar brenda sistemit AFP të menaxhuar lokalisht, i cili më tej mund të perhapet në nivel kombëtar. Duke qenë në pozicionin e përfituesit kryesor (Këshilli i Qarkut Durrës) në këtë projekt dhe duke vlerësuar rëndësinë e madhe social-ekonomike që ai sjell në dobi të komunitetit të Qarkut Durrës, me nënshkrimin e kontratës së subvencionit më 06 Prill 2011, janë organizuar një sërë aktivitetesh në përputhje me planin e punës së projektit. Për aq kohë sa projekti përfundon në Gusht 2013, objektivat e parashikuara në këtë projekt dhe të shpjeguara më sipër do të realizohen në vazhdimësi përgjatë kësaj periudhe, ku planet e detajuara të veprimeve janë përcaktuar në periudha fikse dhe të miratuara nga Autoriteti Menaxhues i programit IPA. Një projekt tjetër shumë interesant është dhe ai “Star” që ka për qëllim të krijojë njohuri të përgjithshme mbi zhvillimin e turizmit në zonën e Adriatikut, ku kombinimi i teknologjisë së informacionit dhe i informacionit turistik, konsiderohet si çelësi për inovacionin dhe një suport për një politikë të përmirësuar dhe një turizëm të qëndrueshëm në zonën e Adriatikut. Objekti i tij është ta bëjë informacionin mbi fluksin turistik me efiçent, lehtësisht të disponueshëm dhe të besueshëm. Për të arritur këto objektiva do të krijohet një portal për turizmin në vendet e Adriatikut. Vendet e përfshira do të krijojnë një network që të shkëmbejnë praktikat më të mira, të integrojnë teknologjinë e informacionit dhe njohurive që aktualisht ekzistojnë. Projekti synon të shtojë njohuritë dhe instrumenta të qëndrueshëm në zonën turistike të Adriatikut, duke ndihmuar politikëbërësit të përpunojnë ndërhyrjet e qeverisë dhe strategjinë e re të Turizmit. Gjithashtu siguron instrumenta për bizneset turistike që të njohin pozitën e tyre në tregjet lokale, karakteristikat dhe zhvillimin e klientëve të tyre. Projekti, është i bashkëfinancuar nga programi Europian IPA Adriatik, dhe ka një kohëzgjatje prej tre vjet. Kohëzgjatja e programit: nga marsi 2011 në gusht 2013. Buxheti i Projektit është 1.8 milion euro, ndërsa për Këshillin e Qarkut Durrës, buxheti i projektit është afërsisht 149.000 euro. Me nënshkrimin e kontratës në 06 prill 2011, janë organizuar një sërë aktivitetesh konform me planet e punës, të miratuar nga autoriteti menaxhues i IPA. Vazhdimësia e projektit gjatë 2012 sigurisht që do të jetë konform me planin e punës dhe periudhën e implementimit miratuar gjithashtu nga ky autoritet, periudhë kohore e cila ka përfundimin e saj në gusht 2013-ës. Infrastruktura Turistike është produkt i përbashkët i Qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Këshilli i Qarkut disponon një pasqyrë të plotë lidhur me statistikat e kësaj infrastrukture dhe e kombinuar kjo me realizimin e objektivave të mësipërme të projektit “Star” do të kontribuojë në dhënien e një pasqyre të saktë statistikore të turizmit në rajon në ndihmë të politikëbërësve në qeverisjen qendrore për hartimin e një strategjie të re mbi turizmin. Në këtë kuadër sektori i projekteve punoi dhe ka aplikuar në statusin e partnerit dhe të bashkëpunëtorit për një sërë projektesh si “Adripromo”, “Brand”, “Zero Waste”, “Tourinadri”, “Gipp”, për të cilët është bërë punë e mirë për plotësimin e dokumentacionit dhe dërgimin në kohë të aplikimeve.
Aktivitete të programuara për vitin 2012
· Ngritja dhe funksionimi i web page të projektit e ndërtuar me portal interaktiv të database që do t’i shërbejë partnerëve dhe bashkëpunëtorëve.
· Ka filluar dhe do të vazhdojë puna për ngritjen e një network-u të AFP (Arsimit dhe Formimit Profesional) në shkallë rajoni.
· Ka filluar dhe do të vazhdojë puna për analizën e tregut të punës.
· Ka filluar dhe do të vazhdojë puna për analizën e vlerësimit të institucioneve.
· Do të punohet në drejtim të përcaktimit të profileve, që do të zgjidhen për t’u pilotuar.
· Do të ndiqen nga afër rezultatet e aplikimeve për projektet e sipërpërmendura në kuadrin e thirrjes së dytë të programit IPA, për të vazhduar më tej implementimin e projekteve fitues për komunitetin e Qarkut Durrës.