Kryeministri, Kyriakos Mitsotakis u shpreh nga Brukseli, “i zhgënjyer dhe i indinjuar” nga qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe paraburgimi i kryetarit të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Mitsotakis dha një mesazh të ashpër Tiranës zyrtare. Ai theksoi se për Belerin kishte njoftuar dhe homologët e tij gjatë samitit dyditor në Bruksel.

“Pata rastin të informoj homologët e mi për atë që po ndodh në Shqipëri për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës dhe të shpreh zhgënjimin, indinjatën time për faktin se një kryetar i zgjedhur arrestohet dy ditë pas zgjedhjes së tij dhe ndodhet në burg, për ne, me dispozita të dyshimta procedurale”.

Për shefin e Qeverisë Greke, çështja Beleri do të ketë një ndikim në vlerësimin e ardhshëm të Greqisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

“Respektimi i rregullave bazë të shtetit ligjor është një kusht i panegociueshëm për çdo vend që parashikon të bëhet anëtar i familjes evropiane. Dua të besoj se ky mesazh është kuptuar plotësisht edhe në Shqipëri. Unë e respektoj absolutisht ndarjen e pushteteve, dua të jem shumë i qartë për këtë, por nga ana tjetër nuk është një çështje që do ta lë të shkojë kështu, pa pasur një reagim nga Greqia. Dhe reagimi i parë u shpreh në Këshillin Evropian”.

Kandidati fitues i zgjedhjeve të 14 Majit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara votimeve me akuzën për shitblerjen e votave. Konstituimi i Këshillit Bashkiak u krye pa betimin e tij si kryebashkiak, pasi ishte në paraburgim.