Belgjika do të marrë vetëm gjysmën e dozave të vaksinës të ofruar nga prodhuesi amerikan i ilaçeve Pfizer.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Yves Van Laethem tha se një problem logjistik në gjysmën e dytë të dhjetorit pengoi shpërndarjen e vaksinave sic ishte planifikuar në strategjinë e vaksinimit në Belgjikë, por pa detajuar problemin.
“Kompania Pfizer, që na furnizon me vaksinen anticovid, do të mund të na ofrojë gjysmën e dozave të planifikuara për janarin, pra ne kalojmë nga 600 mijë doza në më pak se 300 mijë”, tha Van Laethem.
Pas vaksinimit të rreth 700 personave në katër shtëpi kujdesi gjatë një jave testuese vaksinimi, Belgjika nisi të martën të vaksinojë banorët e shtëpive të kujdesit në të gjithë vendin dhe stafit shëndetësor atje.
Vendi me 11 milionë banorë ka regjistruar një nga shifrat më të larta të viktimave për frymë, nga pandemia me 60% të tyre, të regjistruara vetëm në shtëpitë e kujdesit. Kjo fazë e parë vaksinimi do të vazhdojë sic ishte planifikuar me injektimin e dy dozave.
“U vendos të vazhdohet me vaksinimin e plotë me dy doza të personave më të brishtë, të goditur më rëndë nga sëmundja”, tha Van Laethem.
Gjermania dhe Holanda ndërkohë po shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së dhënies së dozës së dytë të vaksinës, në mënyrë që sa më shumë persona të vaksinohen në hapin e parë.