Belgjika po shënon një rritje të rasteve të të infektuarve me koronavirus, paralajmëruan të mërkurën zyrtarët e shëndetësorë.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë do të mblidhet të enjten për të shqyrtuar mundësinë e shtyrjes së masave të izolimit.

“Situata nuk është pa rrugëdalje, ne ende mund të ndryshojmë rrjedhën e ngjarjeve, por duhet të veprojmë shpejt”, tha zyrtari shtetëror për çështje të pandemisë, Boudewijn Catry.

Numri mesatar i rasteve të raportuara me koronavirus midis 12-18 korrikut ishte 184. Kjo shifër shënoi një rritje prej 89% të numrin mesatar të rasteve në krahasim me një javë më parë.

Belgjika, ku gjendet selia e BE-së dhe NATO-s, është një nga vendet më të goditura në Evropë nga pandemia e koronavirusit, shkruan REL. Rreth 64.258 raste janë regjistruar që nga fillimi i pandemisë, ku kanë vdekur 9.805 prej tyre.