12 ditë pasi u sulmua nga terroristët, aeroporti i Brukselit u rihap këtë të diel me kontrolle të reja sigurie. Sipas autoriteteve të aeroportit të Zaventemit, tre fluturime nga linjat ajrore të Brukselit do të nisen në mënyrë simbolike drejt destinacioneve evropiane. Ndërkohë, kujtojmë se në aeroportin e Zaventemit nuk ka kaluar as edhe një fluturim që prej sulmeve terroriste që u morën përsipër nga Shteti Islamik.

"Prej të dielës, aeroporti është pjesërisht funksional," – deklaroi shefi ekzekutiv i aeroportit, Arnaud Feist. Ky i fundit shtoi se pret autorizimin zyrtar të nisjes së punës gjatë ditës. Tre fluturimet e para do të bëhen drejt qytetit portugez Faro, Athinës dhe Torinos. Në lidhje me pasagjerët, ata mund të shkojnë në terminal me taksi apo makinë, pasi ende nuk ka nisur lëvizja e trenave apo autobusëve. Gjithashtu, bëhet e ditur se kontrolle të reja më të rrepta janë vendosur nga autoritetet, pasi policia kërcënoi me grevë tjetër nëse siguria nuk përmirësohej.